image Për 3 ditë 15 të infektuar me koronavirus, sa mund të shkojë numri i të prekurve në Kosovë

Kosovë

Për 3 ditë 15 të infektuar me koronavirus, sa mund të shkojë numri i të prekurve në Kosovë

news image

Të premten më 13 mars, u shënua rasti i parë me koronavirus, në Stubëll të Vitisë, ku një person i moshës 77- vjeçare, i cili kishte ardhur nga Italia në testet e bëra në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, rezultoi pozitiv.

Rasti i dytë ishte në Klinë, një vajzë 20- vjeçare, shtetase e Italisë, e cila punonte në “Caritas”, shkruan Gazeta Sinjali.

Pas dy rasteve të para, pozitivë- rezultuan edhe 11 persona të tjerë, të cilët kishin lidhje me dy të prekurit e parë.

Ndërkaq, sot pak minuta më parë u konfirmuan edhe dy të fejuar të ardhur nga Londra e Anglisë. Njëri person me vendbanim në fshatin Korishtë të Prizrenit, tjetri në komunën e Obiliqit.

Deri më tash, me vendim të qeverisë, tri qytetet e para të futura në karantinë janë: Vitia, Klina dhe Malisheva. Këto masa të marra nga qeveria dhe udhëzimet nga Instituti i Shëndetit po bëhen me qëllim të parandalimit në masë të madhe për përhapjen e virusit Covid-19.

Në sektorin e shëndetit publik, qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, teksa sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një mbledhje të mbajtur për të diskutuar lidhur me masat e marra për virusin, ka thënë që t’u jepet hapësirë edhe vullnetarëve ditët në vazhdim, për të ndihmuar mjekët dhe infermierët.

Për 3 ditë në Kosovë u regjistruan 15 raste, nëse vazhdon numri i infektuarve në këtë mënyrë, për një javë numri i të prekurve mund të shkojë deri në 100.

Në Itali për një javë numri i të infektuarve nga 200 shkoi në 7 mijë.

Numri mund të rritet, duke pasur parasysh lëvizjet dhe kontaktet e personave të infektuar me të afërmit e tyre para se qeveria të marr masa parandaluese dhe udhëzime sesi të veprojnë qytetarët.

Mesatarja që një person i infektuar mund të shpërndajë virusin tek të tjerët është 2.2 %, sipas “Businessinsider”.

Në Itali, shteti më i prekur deri më tani nga virusi, thuajse çdo ditë regjistrohen mbi 2000 persona të infektuar me koronavirus.

Numri i të vdekurve në Itali është 1 mijë e 809, ndërsa të infektuar janë 24 mijë e 747 persona.

Në shtetet europiane si: Italia, Gjermania, Spanja ka ngritje të të infektuarve për çdo ditë, derisa kancelarja gjermane Angela Merkel, për një medium gjerman ditë më parë shprehu frikën që ky virus mund të infektojë mbi 60 për qind të popullsisë

Shteti me më së shumti viktima është Kina, aty ku u përhap për herë të parë pandemia me 3 mijë e 199 të vdekur.

Ndërkaq, Shqipëria deri më tani ka të infektuar 51 raste, teksa për të parandaluar përhapjen më të madhe të virusit, kryeministri Edi Rama sot ka marr vendim që të ndalojë lëvizjen e qytetarëve edhe në këmbë pas orës 18:00.

Kujtojmë që pandemia Covid-19, deri më tani ka vrarë mbi 6 mijë e 600 njerëz në gjithë botën, ndërsa vaksina kundër kësaj pandemie ende nuk është zbuluar./ Gazeta Sinjali/