Me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, në bazë të legjislacionit në fuqi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin për rekrutim të jashtëm të 20 inspektorëve të arsimit. Konkursi ka qenë i hapur nga data 23.11.2022 deri më 07.12.2022, njofton ministrja e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë Arbërie Nagavci.
Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shkruar se nga Divizioni përkatës në MPB i cili e ka bërë rishikimin e aplikimeve, kemi pranuar njoftimin se nga 250 aplikantë vetëm 39 e kanë kaluar rishikimin administrativ duke plotësuar kështu kriterin për të vijuar në fazën e dytë të rekrutimit.
Më tej ministrja tregoi se të gjithë kandidatët që nuk e kanë kaluar rishikimin administrativ të aplikacioneve, janë njoftuar individualisht përmes emailit për arsyet e moskualifikimit për fazën tjetër të rekrutimit.
“Afati i ankesave është deri më 10 janar, andaj inkurajoj të gjithë aplikantët që kanë shqetësime për këtë fazë të shqyrtimit administrativ të dokumentacionit, t’i paraqesin ankesat online ose në kopje fizike brenda afatit të ankesës”, tha Nagavci.