image Për 17 vjet krah Kurtit, Isaku 'çele guri gojën' para pretendimeve për eliminim nga gara në Viti

Politikë

Për 17 vjet krah Kurtit, Isaku ‘çele guri gojën’ para pretendimeve për eliminim nga gara në Viti

news image

Albin Kurti para të ulej në karrigen e kryeministrit, njihet për historikun e organizimit të shumë aktivitete politike, jo rrallë herë edhe të përgjakshme. Një rrugëtim i gjatë mes protestash dhe konfrontimeve me organet e rendit.

Afër vetës që nga dita e parë ka pasur njerëz të besueshëm. Njëri ndër ta është deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nijazi Isaku. Një aktivist nga qyteti i Vitisë, që për shumë vite e ka udhëhequr edhe degën e Vetëvendosjes në këtë qytet. Deputeti Isaku përveç tjerash njihet edhe për fotografinë e famshme në një protestë të VV-së, ku shihet duke e mbrojtur edhe fizikisht kryeministrin Kurti gjatë momenteve të konfrontimit me Policinë e Kosovës.

Në procesin e brendshëm zgjedhor që është duke u zhvilluar në Vetëvendosje, Nijazi Isaku e kishte paraqitur kandidaturën e tij për të udhëhequr me këtë parti në komunën e Vitisë qysh në muajin gusht.

Sinjali nga burimet e saja ka mësuar se Isaku nuk është më pjesë e garës, nuk dihet nëse nuk është certifikuar si shumë kandidatë tjerë apo është larguar me dëshirë nga gara për shkak të ruajtjes së unitetit brenda partisë.

Nisur nga paknaqësitë që janë shfaqur në shumë qendra të Vetëvendosjes dhe në bazë të reagimeve të kandidatëve që kanë drejtuar akuza për eliminime me direktiva nga procesi zgjedhor, fati i njëjtë mund ta ketë përcjellur edhe deputetin e afërt me kryeministrin Kurti, Nijazi Isakun.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar gjatë ditës me Isakun në lidhje me dyshimet e pretenduara për eliminime politike nga procesi zgjedhor. Me gjithë insistimin tonë për të marrur përgjigje, ai nuk ka qenë në gjendje të deklarohet rreth kësaj çështje dhe e ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të prononcohet për këtë temë, duke e kërkuar edhe mirëkuptimin e medieve.

Ai ka preferuar që ta kalojë këtë situatë në heshtje, me pretendimet se edhe heshtja në të shumtën e rasteve flet.

Qendra e VV-së në Viti, nuk është deklaruar akoma në lidhje me kandidaturat por një gjë që dihet është se deputeti dhe njëri ndër njerëzit që i ka qëndruar besnik kryeministrit Kurti deri sot, Nijazi Isaku nuk do të jetë pjesë e procesit të brendshëm zgjedhor në Viti.

/GazetaSinjali/