623 milionë euro janë inkasuar nga Administrata Tatimore të Kosovës, për periudhën janar-tetor të këtij viti, ku përtej planit janë për 12.9 milionë euro apo 2.1 për qind.
Krahas tejkalimit të planit, arritje në ATK është duke u bërë edhe mbledhja e borxheve, që për këtë periudhë janë inkasuar më shumë se 111 milionë euro.
Për gjitha këto, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë se performanca e të hyrave vazhdon të jetë jashtëzakonisht e lartë, pavarësisht rishikimit të bërë të planit deri në fund vitit.
Ai ka thënë se progres i mirë është bërë gjatë periudhës raportuese në lidhje me mbledhjen e tatimeve, ku të ardhurat e përgjithshme për vitin fiskal 2021 ishin 19% më të larta se në vitin 2020.
“Ne tashmë e kemi bërë praktikë që në baza mujore të bëjmë publikimin e të dhënave mbi bazën e të hyrave dhe realizimin e objektivave të Administratës Tatimore të Kosovës në indikatorin e të hyrave tatimore, këtë rast për periudhën 10 mujore ka rezultuar që të kemi tejkalim të planit edhe të rishikuar. Gjithsej të hyrat në këtë periudhë 10 mujore janë 623. 6 milionë euro, që rezulton se nëse bëjmë një krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, atëherë kemi mbi 111 milionë euro të hyra tatimore më tepër, apo 2.1 për qind”, ka thënë Murtezaj për EO.
Murtezaj ka thënë se çështja e borxhit po vazhdon ta kenë në prioritet. Sipas tij, në këtë periudhë dhjetë mujore, kanë arritur t’i inkasojnë më shumë se 130 milionë euro.
Ai ka sqaruar se stoku aktual i borxhit është rreth 460 milionë euro.
“Gjithsesi edhe tek mbledhja e borxhit, ne kemi shënuar progres të madh. Në këtë periudhën dhjetë mujore kemi arritur t’i inkasojmë mbi 130 milionë euro, shumë kjo që nëse shihet në raport me vitin paraprak është se gjithsesi ishte një vit shumë i suksesshëm në inkasimin e borxheve, pra kemi një rritje mbi 25 për qind apo 25 milionë euro, dhe në të njëjtën kohë ka edhe administrim të mirë të stokut të borxhit”, ka thënë Murtezaj, teksa ka thënë se stoku i borxhit vazhdon të mbetët i lartë.
“Kemi një stok aktual të borxhit rreth 460 milionë euro, shumë kjo që sigurisht që ne po synojmë që ta zvogëlojmë, mirëpo kemi edhe stok të borxheve të vjetra që kanë krijuar maturitetin e periudhës mbi 6 vjeçare dhe të cilat kërkon që të respektohen procedurat tjera juridike ose ligjore, me qëllim të anulimit ose fshirjes së atyre borxheve, që pas zhvillimit të të gjitha procedurave nuk është arritur të mblidhet ai borxh”, u shpreh Murtezaj.