“Sot kanë filluar sulmet ajrore të NATO-s ndaj objektivave serbe ushtarake”, ishte lajmi i parë që Besa Çejku Buçinca dha në edicionin qendror të lajmeve në 19:46, në Televizionin shqiptar (TVSH) natën e 24 marsit të vitit 1999.
Prezantuesja ndër vite ka shoqëruar audiencën në edicionet informative.
Çeku ka vite që me vetë dëshirë është tërhequr nga ekrani dhe kjo për arsye personale. Sidoqoftë, sot për të është një ditë e veçantë. Ajo pensionohet.
Megjithatë, në shenjë respekti, dashurie dhe falënderimi për publikun, në ditën e fundit të saj si punonjëse e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Besa Çejku u rikthye sonte në ekran.
Bashkë me kolegun e saj shumëvjeçar, Mustafa Muçaj, dy folësit ikonë të RTP-së e RTK-së, prezantuan Edicionin Qendror të lajmeve.
Në fund të edicionit qendror të lajmeve, Çejku përshëndeti të gjithë shikuesit derisa foli edhe për punën e saj.
Ajo tha se edicioni i sotëm ishte njëjtë sikur herën e parë që ka dhënë lajmet në Radiotelevizionin e Prishtinës.
“Ishte identik dhe i njëjtë si në ditën e parë që kam nis të lexojë lajme në RTP, si sot që mu dha rasti që edhe një herë t’i drejtohem shikuesve. Është po ai emocion”, tha ajo.
“Ajo që na mban neve dhe që na quan të suksesshëm është entuziazmi ynë, përkushtimi i madh në punë, pasioni e vullneti i madh për punë dhe mbi të gjitha ndjenja e lart e përgjegjësisë, jo nga frika por nga respekti për auditorin. Ne kemi hyrë në mbamendjen e auditorit, i cili na ka ndjek me dekada të tëra. Unë jam shumë e lumtur që këtë moment po e mbyll kështu, sidomos me këtë edicion të lajmeve”, tha ajo.
Në fund, ajo i falënderoi të gjithë shikuesit, duke thënë se edicioni i sotëm ishte “përshëndetës dhe jo lamtumirës”.
Përgjatë karrierës së saj në ekran, Çejku pati fatin të japë shumë lajme për shumë zhvillime, mes tyre, edhe të atilla që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa e qytetarëve të këtij vendi.
Askush nuk e harron mbrëmjen e 24 marsit 1999, kur si folëse në TVSH, pasi sigla përmbylli lajmet e orës 18:35 minuta me Besa Çekun si prezantuese, sërish në ekran rishfaqet ajo.
Dhe jo, nuk ishte gabim nga regjia e TVSH-së, por në atë moment ajo mori njoftimin se NATO kishte vendosur të kryente bombardime ndaj caqeve të ushtrisë e policisë së ish Jugosllavisë (Serbisë v.j) për të shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja.
Jo vetëm ky lajm. Lajme të tilla të rëndësishme, ku përcjellëse e tyre përmes ekranit televiziv ishte Besa Çejku, ka edhe të tjera.
Edhe në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në këtë datë të madhe për Kosovën dhe shqiptarët, përcjellëse e këtij lajmi të jashtëzakonshëm, ishte Besa Çeku. Atë mbrëmje, me 17 shkurt 2008, Çejku përcolli në ekranin e RTK-së, lajmin thuajse të pabesueshëm se nga ajo ditë, Kosova radhitet në mesin e shteteve të botës.
Sidoqoftë, ajo ishte edhe dita e fundit e saj si folëse në ekran, duke besuar se karriera e saj ishte tashmë e plotësuar e duke besuar se misioni i saj ishte përmbushur.
Ajo u tërhoq nga shfaqjet në ekran, por jo nga kontributi i saj në RTK.
Besa Çejku vazhdoi të mbetet pjesë e RTK-së, deri në ditën e sotme kur edhe del në pension.