image Pensionistët në Prishtinë: Blejmë pak, sa për t’i provuar - Sinjali

Pensionistët në Prishtinë: Blejmë pak, sa për t’i provuar

news image

Me rritjen e inflacionit në Kosovë, pensionistëve u janë zbrazur xhepat.

Krejt shtrenjtë… Nuk e di, përpara nuk ka qenë kështu. Po blejmë më pak, sa për t’i provuar”, thotë Hadije Osmani, një pensioniste 69-vjeçare, e cila merr 190 euro në muaj.

“Krejt shtrenjtë...", thotë pensionistja Hadije Osmani, e cila merr 190 euro në muaj.

Pensionet në Kosovë sillen nga 100 deri në 265 euro.

Inflacioni, ndërkaq, ka arritur në 14.1 për qind në muajin qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Rritja e çmimeve ka nisur nga viti i kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Hov, pastaj, u ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur në fund të shkurtit.

Sipas të dhënave të ASK-së, të publikuara më 21 korrik, pesë kilogramë miell në treg shiten për 3.58 euro, një bukë e zakonshme për 0.50 euro, një litër vaj për 2.82 euro, një litër qumësht për 1.10 euro dhe 30 kokrra vezë për 3.95 euro, shkruan REL.

Tregu i Gjelbër në Prishtinë.

Sot, me pension nuk mund të mbetesh gjallë”, thotë Asllan Asllani, 82 vjeç.

Si pensionist me arsimim të lartë, ai merr pension në vlerë prej 260 eurosh në muaj. Gjërat dhe ilaçet që i ka blerë vetëm para një viti, thotë se nuk mund t’i blejë më.

Të gjitha kërkesat që i ka rinia, i kemi edhe ne. Por, ne kemi edhe ilaçe. Çdo i dyti pensionist është i sëmurë, ka nevojë të shkojë në det, në banjë… Ka nevojë t’i blejë ndonjë bonbone nipit në shtëpi, por nuk mund ta bëjë”, thotë Asllani.

Pensionisti Asllan Asllani.

Mybera Kasumi është kryetare e Organizatës së Pensionistëve në Prishtinë. Ajo thotë se nga takimet ditore që ka me pensionistë, merr vesh se ankesat më të mëdha të tyre kanë të bëjnë me çmimet e barnave.

Pensionistët kanë diagnoza të ndryshme të sëmundjeve dhe një medikament që kushton 20 apo 30 euro, nuk mund ta blejnë”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të ASK-së, produktet farmaceutike kanë shënuar rritje për 4 për qind në muajin qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në Kosovë nuk ka sigurime shëndetësore. Vetëm disa qytetarë mund të jenë të siguruar përmes kompanive private, që ofrojnë shërbime të tilla.

Qendra e Pensionistëve në Prishtinë është vendtakim i shumë pensionistëve nga e gjithë Kosova.

Rrahim Selimi thotë se vjen tri herë në javë nga Podujeva për t’u takuar me shokët e tij.

Ata mblidhen vetëm në restorantin e qendrës, pasi, siç thotë, çmimet aty janë më lirë.

Këtu nuk bëjmë harxhime, një sytliaç është 70 centë”.

Çmimet e bukës, të barnave janë të larta”, thotë ai.

Në ambulancën që gjendet brenda Qendrës së Pensionistëve nuk ka asnjë medikament.

Në muajin prill, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 100 euro shtesë për pensionistët, si dhe disa kategori të tjera të shoqërisë, për t’iu ndihmuar të përballojnë çmimet në rritje.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë aktualisht jetojnë rreth 200.000 pensionistë.

Prej tyre, rreth 148.000 janë përfitues të pensionit të pleqërisë, që do të thotë se marrin nga 100 euro në muaj, ndërsa më pak se 50.000 janë kontributpagues. Këta të fundit ndahen në katër kategori dhe marrin nga 182 deri në 265 euro në muaj, varësisht shkollimit që kanë pasur.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: