image Pendarovski: Mbështesim një zgjidhje Kosovë-Serbi që s’rrezikon sigurinë e shteteve fqinje

Politikë

Pendarovski: Mbështesim një zgjidhje Kosovë-Serbi që s’rrezikon sigurinë e shteteve fqinje

news image

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot gjatë vizitës në Kosovës ka thënë se pret që të realizohen marrëveshjet e nënshkruara në mes të Kosovës dhe Maqedonisë.

Në një konferencë të përbashkët me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë partnerë të fuqishëm tregtar.

“Gjatë bisedave unë theksova përgatitjen time që të intensifikojmë dialogun edhe në nivelin më të lartë politik. Sot me presidenten Osmani kishim një dialog të sinqertë dhe konstruktiv. Bëhet fjalë për dy vende mike të përkushtuara dhe shfrytëzimin e mundësive për bashkëpunimin bilateral në të gjitha fushat. Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë partnerë të fuqishëm tregtar. Para pak kohësh u mbajt mbledhja e parë e dy qeverive në Shkup ku janë nënshkruar 11 marrëveshje bilaterale. Pres që ato të zbatohen”, tha ai.

Ai foli edhe për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut e mbështet një marrëveshje reciproke e që nuk e rrezikon sigurinë e shteteve të rajonit.

“Maqedonia e Veriut e mbështet një zgjidhje të përbashkët reciproke që do të kontribuojë për stabilitetin rajonal dhe që nuk do të rrezikojë sigurinë  e shteteve fqinje. Në këtë drejtim e përshëndes edhe marrëveshjen e arritur për tensionet në veri të Kosovës që u arrit me ndërmjetësim të BE-së”, tha ai./GazetaSinjali/