Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj përbërjes së delegacionit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, i cili po merr pjesë në Samitin e NATO-s në Turqi, duke theksuar se në të nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar.
Sipas BDI-së, mungesa e përfaqësuesve shqiptarë në delegacion pasqyron një qasje të gabuar ndaj karakterit multietnik të shtetit dhe dërgon mesazh të gabuar si për qytetarët, ashtu edhe për aleatët ndërkombëtarë.
“Përfaqësim pa shqiptarë nuk është përfaqësim i shtetit Në Samitin e NATO-s në Turqi, Maqedonia e Veriut paraqitet me një delegacion pa asnjë përfaqësues shqiptar. Kjo është pasqyrë e një mentaliteti politik që e sheh shtetin si pronë të një etnie, ndërsa shqiptarët vetëm si dekor të brendshëm. Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe anëtare e NATO-s falë një arkitekture politike që ndërtohet mbi barazi, përfaqësim dhe Marrëveshjen e Ohrit. Delegacionet shtetërore duhet ta reflektojnë realitetin e vendit, jo ta fshijnë atë. Përjashtimi i shqiptarëve nga përfaqësimi më i lartë ndërkombëtar është mesazh i gabuar për qytetarët, për aleatët dhe për vetë karakterin e shtetit. Shteti nuk përfaqësohet drejt kur gjysma e realitetit të tij lihet jashtë.“, thuhet në reagim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!