image Peci: Ministria e Bujqësisë në gjendje të rëndë, arrestimet për korrupsion krijuan traumë - Sinjali

Peci: Ministria e Bujqësisë në gjendje të rëndë, arrestimet për korrupsion krijuan traumë

news image

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka raportuar sot në Komisionin për Bujqësi, ku tha se gjendja në këtë ministri është mjaft e rëndë, për mungesë të legjislacionit, nivelit të borxheve dhe keqpërdorimit, raporton Gazeta Sinjali.

Peci tha se arrestimi i zyrtarëve të kësaj ministrie, të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorime, kanë krijuar traumë në këtë institucion.

“Ministria e Bujqësisë është njëra prej ministrive në nivelin më të keq prej të gjitha ministrive të tjera. Kjo si rezultat i problemeve të trashëguar. Një numër i madh i zyrtarëve janë në mbajtje të cilët dyshohen për korrupsion. Pra, kjo ka krijuar një traumë në Ministri”, tha ai.

Ai foli edhe vonesat e ndarjes së subvencioneve për fermerët.

“E di që janë të shqetësuar fermerët për vonesat e shpërndarjes së subvencioneve për këstet e dyta që janë paraparë me anë të Ligjit për Rimëkëmbje.”

Prej që kam ardhë në këtë ministri, kemi shqyrtuar lëndët e fermerëve dhe kemi gjetur për disa prej tyre parregullsi dhe me këtë kemi arritë me i kursy gjysmë milioni euro. Mirëpo, pas shqyrtimit të lëndëve dhe aprovimit të Task Forcës, mjetet janë duke u shpërndarë në vazhdimësi për fermerët e ndershëm”, tha ai.

Ministri i Bujqësisë duke iu përgjigjur deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiut, për zvogëlimin e subvencioneve për sipërfaqet e fermerëve të rrushit, theksoi se kjo është e pavërtetë.

“Kjo është e pavërtetë, për 100 ditë ne nuk kemi bërë rishikim të programit, as edhe për vreshtarët. Deri tash nuk kemi një vendim. Janë vetëm spekulime”, tha Peci.

Për kallëzimet penale, ministri Peci tha se subvencionet e vitit 2020 janë objekt i hetimit penal.

Ai foli edhe për sigurimin e kulturave bujqësore. Derisa premtoi edhe për ndarjen e mjeteve në një prej mbledhjeve të ardhshme të qeverisë për dëmet në bujqësi./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin