image Peci i tha se e përfaqëson krimin, Ganimete Musliu sot dorëzon padinë ndaj tij

Politikë

Peci i tha se e përfaqëson krimin, Ganimete Musliu sot dorëzon padinë ndaj tij

news image

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu pas një debati me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ka vendosur të dorëzojë padi për këtë të fundit.

Ajo për Gazetën Sinjali tha se padinë do ta dorëzojë në orë 12:00 te Pallati i Drejtësisë.

Sot në orën 12:00 do ta dorëzojë padinë ndaj ministrit Peci në Pallatin e Drejtësisë”, tha ajo për Sinjalin.

Ministri Peci gjatë mbledhjes në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, i tha Musliut se ajo përfaqëson krimin, ndërsa kjo e fundit e quajti rrugaç dhe e gjuajti me ujë.

Si nisi debati mes tyre?

Musliu i tha ministrit Peci se vendimi për anulimin e granteve për fermerët dhe raporti që ai prezantoi janë kontradiktore dhe paragjykuese.

Por ministri iu kthye Musliut, duke i thënë se vendimi për anulim është bërë për shkak të gjeturave të Zyrës së Auditorit.

“E para nuk është kontradiktore, e dyta raportet nuk i shkruaj unë, por i lexoj dhe e treta çështja është se këtu janë përdorur dy argumente që janë komplementare njëra me tjetrën. Njëra prej arsyeve pse e kemi anulu këtë shpallje të dytë kanë qenë të gjeturat e auditorit që vlerësimi i granteve me këtë sistem nuk është parimor. E dyta krejt kjo tentativa me pasyqyru kinse mu që po tentoj me mshefë kishe diçka që po tentoj me mshef diçka rreth këtij vendimi është e pavërtetë”, tha Peci.

Megjithatë arsyetimi lidhur me auditorin nuk e ndali deputeten e PDK-së. Ajo e vazhdoi debatin, duke thënë se Ministria e Bujqësisë ka paragjykuar fermerët dhe procesin e ndarjes së granteve për ta.

Ndonëse Peci ia kërkoi Musliut ta përkrah këtë vendim, ajo insistoi duke thënë se është paragjykim.

“Përshëndete të parën edhe të dytën”, i tha Peci Musliut, duke përmendur edhe arrestimet në këtë ministri.

“Unë nuk e përshëndes këtë, se është prapë paragjykim”, ia ktheu Musliu.

“Friendly, Suggest Gane”, tha pas saj Peci.

Sipas Musliut, me këtë vendim, Qeveria iu ka hyrë në hak fermerëve.

Pas kësaj, Peci vazhdoi debatin, duke ia përmendur Musliut ofendimet që ia kishte bërë deputetja në Kuvend. Musliu nuk është tërhequr as pas deklaratave të saj në Kuvend, ku e kishte quajtur Pecin “Pinokio”.

“Ti je nxon me presh në dorë. Çka janë këto, ministër? Ti as pinokio nuk je, se pinokio në fund e thotë të vërtetën, ti po vazhdon me gënjy. Fatkeqësisht dhe kjo është turpi”, tha Musliu.

Ndërsa Peci ia ktheu: “Kjo është kultura jote, kjo është edukata që e ki ti, unë nuk muna me ta dhonë pjesën e edukatës”.

“Mos u ban rrugaq, rrugaq, rrugaq”, ia ktheu disa herë Musliu Pecit.

Më pas reagoi Peci, ku ia lëshoi edhe disa fjalë Musliut.

“Kjo tema e granteve unë e di që në adresa të caktuara ngjallë edhe nervozë, për shkak se njëri prej tyre je edhe ti (Ganimete Musliut). Me gjuhën që përfaqëson edhe mënyrat që i prezanton temat, e përfaqëson krimin ndaq me e ditë. Ajo pjesa e krimit në Ministri të Bujqësisë ka një mbështetje politike, e këtu po del që ti je njëri prej zyrtarëve me prapavijë”, ka thënë Peci.

Pasi eskaloi situata, ministri Peci tha se “nuk ka bir nane që e ndal”.

“Nuk ka me vjedh askush sa të jam unë ministër. Ndaq gjuni me ujë, ndaq me plumba qysh keni gjujtë në të kaluarën, nuk ka birë nane që e ndal Faton Pecin. Sa të jem unë, nuk munden me vjedh dostat e Ganes”.

Musliu pas mbledhjes së komisionit, në një konferencë për media tha se nuk është penduar për veprimet e saj.

/GazetaSinjali/