Kryetari i partisë Guxo, Faton Peci ka thënë se partia e tij, që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pajtohet me marrëveshjen e arritur me Serbinë në Ohër, por ka thënë se nuk duhet pranuar marrëveshjet e mëparshme që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Peci ka deklaruar se nëse Guxo nuk do të pajtohej me marrëveshjen e arritur, këtë gjë do ta bënte publike.
“Ne në parim pajtohemi, por çështja është që nuk ka përfunduar ende aspekti i zbatueshmërisë së saj. Në rast se nuk do të pajtoheshim ne do ta bënim publike dhe do ta tregonim vendimin e radhës”, ka thënë ai në “DPT te Fidan Jupolli”.
“Në esencë në marrëveshje Asociacion nuk ka askund, sepse ka vetëmenaxhim. Nuk duhet pranuar ato marrëveshje që bien në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shtuar ai.
Peci ka thënë se Kurti është konsutluar edhe me Guxo-n, në kuadër të koordinimit mes krerëve institucionalë.
“Koordinim ka pasur mes krerëve të institutcioneve dhe takimeve të stërzgjatura për t’i diskutuar këto gjëra. Ka pasur takime mes kryeministrit, presidentes, kryetarit të kuvendit dhe ministres së punëve të jashtme. Këto procese janë dinamike. Ideja që të gjithë të jenë bashkë… duhet kuptuar që duhet pasur edhe një dozë diskrecioni për të mos e cenuar interesin publik”, ka thënë ai.
“Ka pasur diskutime, edhe pro et contra, në kuptimin e modaliteteve që duhet përdorur për pozicionin e Kosovës. Qenësore është se cili do të ishte pozicioni tjetër nëse Kosova do ta refuzonte një marrëveshje të tilla”, ka shtuar ai.