image PDK: Qeveria Hoti dështoi, nuk e ka mbështetjen legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën

Politikë

PDK: Qeveria Hoti dështoi, nuk e ka mbështetjen legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën

news image

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e konsideron të dështuar qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Në një komunikatë për media, PDK është shprehur se kjo periudhë e qeverisjes u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, çka bëri që Kosova të shënojë numrin më të lartë të të vdekurve dhe të të infektuarve në botë, për kokë banori.

Sipas tyre, Kosova u fut në listën e zezë të lëvizjes së qytetarëve nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane.

“Krahas kësaj, Qeveria Hoti dështoi t’i dalë në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve të vendit duke mos përmbushur as për së afërmi premtimet për rimëkëmbje ekonomike. Mijëra punëtorë po rrezikojnë vendet e tyre të punës, ndërsa qindra biznese janë afër kolapsit si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia dhe paaftësisë së kësaj qeverie. Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë. Premtimet për ndarjen e fondit mbi 1 miliard euro për tejkalimin e krizës kanë mbetur në letër nga Qeveria Hoti, e cila nuk ka as vizion dhe as vullnet për t’u marrë me këtë problematikë”, thuhet në komunikatë.

Partia Demokratike e Kosovës shpreh pakënaqësitë ndaj kësaj qeverie rreth rihapjes së shkollave, duke thënë se Qeveria Hoti po rrezikon të ardhmen e mijëra fëmijëve.

“Në 100 ditë, Qeveria Hoti dështoi në përgatitjet për rifillimin me kohë të mësimit më 1 shtator duke krijuar konfuzitet të madh në mesin e shumë prindërve e mësimdhënësve. Me këtë qasje, kjo qeveri po rrezikon të ardhmen e mijëra fëmijëve të Kosovës, të cilët ka mbi pesë muaj që janë shkëputur nga mësimi i rregullt. Edhe rifillimi i mësimit i paralajmëruar më 14 shtator ka rrezik të dështojë sepse mungojnë përgatitjet e instruksionet si të veprohet në kushtet e pandemisë.”

Në komunikatën e kësaj partie gjithashtu përmendet edhe marrëveshja ekonomike e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, duke e quajtur të dështuar delegacionin që mori pjesë në SHBA.

“Dështimi në qeverisjen e brendshme u karakterizua me dështimin në politikën e jashtme javën që shkoi, ku delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Hoti, humbi shansin historik për arritjen e një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Washington. Nga përplasjet e brendshme fisnore të anëtarëve të delegacionit, u pranua të ndahet pronësia për Liqenin e Ujmanit me Serbinë; u lejua të negociohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe u rrezikuan interesat strategjike të vendit.”

Sipas PDK-së, Qeveria Hoti dështoi të përmbushë pritjet e qytetarëve për arritjen e një marrëveshje historike finale duke rrëshqitur gradualisht drejt temave teknike me Serbinë dhe se kjo qeveri është e dobët, aspak transparente dhe pa kurrfarë mbështetje legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën. /Gazeta Sinjali/