image PDK në Prizren kërkon seancë të asamblesë për zhvendosje dhe rimodelim të shtatores së Skënderbeut

Kosovë

PDK në Prizren kërkon seancë të asamblesë për zhvendosje dhe rimodelim të shtatores së Skënderbeut

news image

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totaj ka kërkuar seancë për rimodelim të shtatores së Skënderbeut dhe ndryshim të lokacionit.

Gjatë kësaj konference, Totaj e ka kritikuar Komunën e Prizrenit për të gjithë procesin në lidhje me vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

“E para, lokacioni i përzgjedhur nuk është i denjë për vendosjen e shtatores së Skenderbeut. Ai është i izoluar dhe shumë hapësirë e fshehur e qytetit. E dyta, për shkak të trafikut të dendur në atë rreth rrotullim ku është vendosur shtatorja, shumë lehtë mund të shkaktohen aksidente dhe rrezikohet jeta e vizitorëve të mundshëm. E treta, dega e PDK-së në Prizren përmes asamblistëve të saj në fazën e parë, para së të merret vendimi, ka tërhequr vëmendjen për lokacionin jo adekuat dhe ka kërkuar lokacion tjetër më të përshtatshëm por që është injoruar nga kryetari Mytaher Haskuka.”, ka thënë Totaj.

Ai ka shtuar se pushteti lokal i Vetëvendosjes me kokëfortësinë e vet, duke injoruar tërësisht sugjerimet dhe rekomandimet nga qytetarët dhe opozita, po tregohet mospërfillëse edhe ndaj figurave të tilla të historisë kombëtare sikur që është Skënderbeu.

“Madje kryetari Mytaher Haskuka u përpoq një ditë më herët nëpër studio televizive ta largoj përgjegjësinë nga vetja duke gënjyer publikisht se ai nuk ka qenë shumë në rrjedha për shtatoren sepse për pamjen e tij finale është përkujdesur një shoqatë e komuna ka caktuar veç lokacionin. Keqqeverisja perveç pothuajse të gjitha fushave tjera ku ka dështuar, shkon aq larg sa që tallet edhe me vet figurën e Skenderbeut e rrejedhimisht edhe me historinë e ndritshme kombëtare simbol i të cilës është vet Gjergj Kastrioti.”, ka shtuar ai.

Totaj ka thënë se partia e tij do të filloj me mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale ku do të kërkohet rimodelim i shtatores së Skënderbeut.

Ndërsa, deputetja Eliza Hoxha ka thënë se veprat e artit publik zakonisht janë produkt i relacioneve të pushtetit, relacioneve shoqërore, identitare të përmbledhura në reflektimin e kujtesës kolektive brenda strukturës hapësinore urbane.

“Si të tilla, këto projekte duhet të kalojnë nëpërmes një debati publik jo vetëm në raport me vet monumentin por edhe me vet lokacionin ku do të vendoset ajo. Andaj, për të pasur besimin e qytetarëve, arti publik duhet të synojë të përsosurën në aspektin e reprezentimit.”, ka thënë Hoxha.

/Gazeta Sinjali/