image PDK: Kurti po e vendos Kosovën në pozocione të kundërta me partnerët ndërkombëtar

Politikë

PDK: Kurti po e vendos Kosovën në pozocione të kundërta me partnerët ndërkombëtar

news image

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konferencë për media ka folur për shkallëzimin e vendimit të Qeverisë për targa, që përfshin qortim, gjobë, targa provuese e pastaj konfiskim të veturave, shkruan Gazeta Sinjali.

Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i PDK-së, Bernard Nikaj, tha se Kurti edhe po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtar.

“Kryeministri Kurti edhe po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të tij edhe Po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtar. I gjithë debati i ditëve të fundit ka qenë iu fokusuar se a do të zbatohet vendimi legjitim i Qeverisë nga data 1 nëntor apo do të plotësohet kërkesa e SHBA-së për shtyrje të zbatimit për 10 muaj. Në fund kryeministri ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta shtyjë vendimin për gati gjashtë muaj, duke u tërhequr nga vendimi i tij por edhe duke e sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme në rraporet me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar”, tha Nikaj.

Sipas PDK-së, Qeveria është treguar joserioze ku thotë se Kosova po shndërrohet në palë destruktive dhe po e vë në pikëpyetje mbështetjen ndërkombëtare për vendin.

“Tani as nuk do të ketë targa RKS në veri ndërsa zyrtarisht SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer me vendimin e Qeverisë. Një situatë të tillë në raport me SHBA-në Kosova nuk e ka pasur asnjëherë në të kaluarën. Në kontekstin aktual gjeopolitik është e domosdoshme pjekuria shtetërore për të koordinuar veprimet me aleatët tanë ndërkombëtar”, tha ai.

Nikaj tha se po të ishte PDK-ja në qeverisje, do të sigurohej që “vendimi të zbatohet dhe në anën tjetër të mos humbet bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtar”.

Dje, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti e prezantoi vendimin e ri rreth targave. Nuk do të ketë menjëherë konfiskim të veturave. Fillimisht qortim për serbët, pastaj gjobë, targa provuese, e nga 21 prilli konfiskim.

“Për 3 javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor, masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori, për 2 muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill, nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”- deklaroi kryeministri i vendit.

“Me këtë rast, me këtë shkallëzim e tregojmë edhe një herë seriozitetin tonë që pa dyshim ta zbatojmë vendimin që e kemi marrë, por t’u japim shansë të gjithë atyre që janë të interesuar të integrohen. Kjo është mënyra që ta zbatojnë ligjin dhe përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare sa u përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe jo vetëm”- përfundoi Albin Kurti.

Megjithatë as ky ndryshim nuk e kënaqi Amerikën. ShBA-ja, nëpërmjet një komunikate, u shpreh e zhgënjyer dhe e shqetësuar.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që ta zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë ta zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”- thuhet në reagimin e ShBA-së.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”- përfundon komunikata.

/GazetaSinjali/