image PDK kërkon vlerësim të kushtetutshmërisë për seancën ku pati përleshje: Konjufca ka bërë shkelje kushtetuese

Politikë

PDK kërkon vlerësim të kushtetutshmërisë për seancën ku pati përleshje: Konjufca ka bërë shkelje kushtetuese

news image

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë lidhur me mbajtjen e seancës së Kuvendit, ku kishte përleshje fizike.

Kjo është bërë e ditur nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në një postim në Facebook.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ju njoftoj se kemi kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për caktimin e Seancës Plenare të javës së kaluar. Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka shtuar se seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese.

“Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”, ka deklaruar Tahiri.

Më tej shefi i deputetëve të PDK-së, ka theksuar se si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura.

“Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”, tha Tahiri.

/GazetaSinjali/