image PDK kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit Martin Berishaj

Politikë

PDK kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit Martin Berishaj

news image

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, është deklaruar sot në Kuvendin e Kosovës, ku tha se ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, për të cilin u raportua se është i përfshirë në një skandal financiar duhet shkarkuar menjëherë.

Deliu tha se në një kohë kur Kosova duhej shfrytëzuar të gjitha resurset për të aplikuar në Këshillin e Evropës, doli edhe skandali financiar i Berishajt.

“Skandal të madh financiar, ku përmendet Martin Berishaj.Në një kohë që për shkak të rrethanave na është krijuar një mundësi e artë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në vend se të gjitha resurset tona politike dhe diplomatike të jenë në funksion të jetësimit të këtij qëllimi, Kosova u desh të jetë e përfshirë në një aferë të përmasave të mëdha. Skandali ka shpërthyer në Slloveni, por ambasadori duhet shkarkuar e më pas drejtësia ta thotë fjalën e vetë. Presidenca dhe kryeministria nuk janë as gjykatës as prokurorë, por duhet marrë masa që të shkarkojnë ambasadorin pas këtij skandali. Ai pas këtij skandali nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë më detyrën e tij, e me standardin e tij ka vështirësuar edhe punën e ambasadorëve që janë në vendet fqinje.”, tha Deliu.

Deputetja shtoi se shkarkimi s’do të duhej të diskutohej, e më pas drejtësia do të thoshte fjalën e vetë.

“Ne si PDK kemi disa pyetje. Si e mori shtetësinë ai një ditë para se të bëhej ambasador? A e ka bërë verifikimin nga AKI-ja dhe si është marrë ky verifikim?Kosova nuk e ka luksin të përballet me skandale të kësaj forme. Berishaj s’do të duhej të mbante më tutje këtë post, pas mosshkarkimi i tij përfshinë dhe një skandal tjetër, ku e mbrojnë dhe nuk e shkarkojnë një ambasador me skandal, por së paku është dashur të shkarkohet për mosdeklarim, apo deklarim të rrejshëm të pasurisë.

Ndërsa janë shkarkuar diplomatë që vetëm kanë shprehur një qëndrim të tyre në publik.

Dëmin që ia ka shkaktuar Kosovës dhe diplomacisë së Kosovës është i madh dhe dëm i pariparueshëm. Pra qëndrimi më tej i Berishajt në këtë shtet është i dëmshëm dhe paraqet pengesë serioze në këto raporte. PDK insiston që Berishaj sa më parë të shkarkohet nga detyra e tij, e ti bëjë nder Kosovës në rastin që ai e lë detyrën e tij dhe shkarkohet nga institucionet përgjegjëse.”,shtoi ajo.

/GazetaSinjali/