image PDK-ja denoncon mashtrimet e Kurtit, i shtron 10 pyetje publike

Kosovë

Komunikata/ PDK-ja denoncon mashtrimet e Kurtit, i shtron 10 pyetje publike

news image

Partia Demokratike e Kosovës e ka lëshuar një komunikatë për media, nëpërmjet të cilës ka bërë të ditur se “e mirëpret akgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ta shpallur kundërkushtetues vendimin e qeverisë Kurti për kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore”.

PDK-ja ka vlerësuar se kryeministri i vendit, Albin Kurti, bëri puç qeveritar, dhe se Gjykata Kushtetuese e mbrojti rendin kushtetues.

Gjithashtu në komunikatën e PDK-së, thuhet se denoncojnë gënjeshtrat e kryeministrit të shkarkuar Albin Kurti ndaj qytetarëve të Kosovës për vendosjen e reciprocitetit.

“Partia Demokratike e Kosovës denoncon mashtrimet dhe gënjeshtrat e kryeministrit të shkarkuar Albin Kurti ndaj qytetarëve të Kosovës lidhur me vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Si shumë vendime tjera, ai, rreth mesnatës, kishte publikuar një vendim gjysmak, qesharak e teknik për kinse reciprocitet të plotë ekonomik, tregtar dhe politik me Serbinë”, thuhet në komunikatë.

PDK-ja shtron disa pyetje publike e tema për Kryeministrin e shkarkuar, i cili para marrjes së vendimit qesharak të reciprocitetit dhe heqjes së tarifës do të duhej ti shqyrtonte.

  1. Cila do të jetë masa e reciprocitetit të Kryeministrit të shkarkuar ndaj fushatës negative të diplomacisë së Serbisë ndaj njohjeve të Kosovës?
  2. Çfarë masa reciprociteti ka paraparë Kryeministri shkarkuar ndaj preambulës së Kushtetutës së Serbisë ku thuhet se “Kosova është pjesë e Serbisë”
  3. A u vendos masë reciprociteti ndaj njohjes së diplomave sikurse Serbia bën ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës?
  4. A u anulua vendimi i dëmshëm serb për verifikimin dhe anulimin e adresave të banorëve shqiptarë në Serbi?
  5. A u ndal presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë, veçmas ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së? Çfarë masa reciprociteti ka paraparë këtu?
  6. Apo e zbaton marrëveshjen për IBM, dhe funksionalizimin e katër pikëkalimeve të përhershme kufitare të ndërtuara me fondet e BE-së, të cilin Serbia e mban të bllokuar?
  7. A filloi zbatimi i reciprocitetit për targat e automjeteve?
  8. A filloi zbatimi i reciprocitetit për dokumentet e udhëtimit dhe heqja nga përdorimi i targave ilegale në Kosovë?
  9. Cila do të jetë masa e reciprocitetit në raport me arrestimet e shtetasve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në burgjet e Serbisë?
  10. Çfarë masa reciprociteti do të vendos ndaj Serbisë për çështjen e të pagjeturve dhe kthimin e trupave në Kosovë?

PDK-ja konsideron se kryeministri i shkarkuar Kurti nuk e ka seriozisht reciprocitetin e as tarifat, por vendimi i djeshëm ishte një lojë dhe mashtrim i radhës ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të qarta në kërkesat e tyre./ Gazeta Sinjali/