image PDK i reagon Bahtirit: VV po ngritë tensione për të shpëtuar veten

Politikë

PDK i reagon Bahtirit: VV po ngritë tensione për të shpëtuar veten

news image

Bartësi i listës së PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri, ka reaguar pas akuzave të kryetarit të Mitorvicës, Agim Bahtiri, se tollovia e shkaktuar në tubimin e VV-së është faji i PDK-së, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai në një postim në Facebook ka demantuar pretendimet e Bahtirit, si dhe ka shtuar se nuk është Mitrovica ajo që ka nevojë për tensione, por kryetari aktual i saj.

“Mitrovica nuk ka nevojë për tensione. Agim Bahtiri ka nevojë. Mitrovica ka nevojë për zgjedhje fer e demokratike. Ka nevojë për paqe.”

“Si bartës i listës së PDK-së i demantoj të gjitha pretendimet e Agim Bahtirit dhe të kampit të tij për përfshirje të aktivistëve tanë në incidentin e sotëm në lagjen “Tjegullorja”. Akuzat e papërgjegjshme të tij për të nxitur tensione politike, në përpjekje për të gjetur shpëtim, nuk janë në frymën elektorale që jemi munduar ta krijojmë dhe që i duhet Mitrovicës”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se sikurse sonte, Bahtiri ka akuzuar PDK-në edhe për ngjarjen e siç e quan aj “famshme” në Tavnik, që sipas tij Bahtiri dëgjohej duke sharë në tubime.

“Kështu, sikurse sonte, na akuzonte edhe para disa muajsh për ngjarjen e famshme në Tavnik – ka qenë ngjarje mediale, ku Agim Bahtiri si kryetar dëgjohej duke sharë në tubimet e tyre. Qytetarin që e kishte sharë Agim Bahtiri, më pas ishte detyruar t’i kërkoj falje, sepse doli që ishte aktivist i tyre”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, Naim Sejdiu i cili ka qenë prezent në tubimin e LVV-së ka thënë se Bahtiri nuk i ka lejuar qytetarët që t’i bëjnë pyetje. Sipas tij njerëzit e Bahtirit kanë sulmuar fëmijë të moshës 13-vjeçare.

“Arianit Sejdiun i cili kandidon për asamble me Lëvizjen Vetëvendosje e kam familjar dhe kemi shkuar aty për ta dëgjuar programin. Kemi qenë të ftuar në këtë tubim si banorë të lagjes dhe kam shkuar”.

“Pasi e ka mbaruar fjalën Agim Bahtiri i kam thënë se po dua t’i bëj një pyetje, por nuk më ka lejuar duke m’u përgjigjur me “Natën e mirë”. I kam thënë se “vetë na ke ftuar dhe ne po duam ta dimë se çfarë do të bësh”, ai përsëri ma ka kthyer me “Natën e mirë”. I kam thënë se “nuk po vepron mirë” dhe kemi dalë pastaj”, është shprehur Sejdiu për Klan Kosovën.

“Pas kësaj Agim Bahtiri i ka thirrur njerëzit e vet, të cilët kanë ardhur me katër xhipa dhe i kanë sulmuar disa të rinj, 13-vjeçarë. Pas kësaj ka ardhur policia dhe unë kam dhënë dëshmi si dëshmitar. Kjo ka qenë ajo çfarë ka ndodhur. Agim Bahtiri na priti keq aty”.

Kujtojmë se menjëherë pas aksidentit, Agim Bahtiri, nëpërmjet një postimi në Facebook ka deklaruar se tollovinë në tubim e shkaktuan përkrahësit e PDK-së, duke iu referuar atyre si “bandita”,

“Ndjej keqardhje për përkrahësit tonë, që sonte u sulmuan nga gangsterët e PDK-së në lagjen Bair, gjatë tubimit që po mbanim aty”, ka shkruar Bahtiri.

Por, Bahtiri nuk është mjaftuar vetëm me këtë reagim. Ai në një postim të dytë në Facebook, ka publikuar një video nga tubimi i sotëm dhe ka shkruar se janë pamjet ato që tregojnë sipas tij të vërtetën.

“Gojët e liga flasin gjithçka, por pamjet e tregojnë të vërteten. Unë bashkë me përkrahësit mbajtëm tubimin në Bair, siç mund ta shihni. Në fund ndodhi sulmi gangster i PDK-së dhe ne shmangëm një incident”, ka shkruar Bahtiri.

/Gazeta Sinjali/