image PDK i bën thirrje prokurorisë të nisë hetime për keqpërdorim të buxhetit në komunën e Podujevës

Politikë

PDK i bën thirrje prokurorisë të nisë hetime për keqpërdorim të buxhetit në komunën e Podujevës

news image

Komuna e Podujevës që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po akuzohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) atje për keqpërdorim të buxhetit të komunës, raporton Gazeta Sinjali.

Kryetari i degës së PDK-së, njëherit kandidat për kryetar të kësaj komune, Naim Fetahu ka denoncuar sipas tij abuzimet dhe keqpërdorimet në buxhetin e komunës së Podujevës.

Fetahu në një konferencë për media të mbajtur sot numëroi disa siç thotë ai skandale dhe shkelje të cilat janë bërë nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari.

Për keqpërdorimet në komunën e Podujevës, Fetahu ftoi prokurorinë që urgjentisht të nisë hetimet.

“Kemi një mori skandalesh, kemi raportimin nga institucionet kredibile siç është ai i Auditorit të Përgjithshëm për keq menaxhim dhe keqpërdorim të buxhetit komunal. Kemi çdo ditë raportime në medie se si qytetarëve të varfër të komunës tonë po iu vidhet buxheti. Kanë ndodhur kaq shumë shkelje gjatë kësaj periudhe sa është e nevojshme urgjentisht edhe prokuroria të nis hetimet ndaj komunës dhe keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur në këtë periudhë kohore. Sidomos prej bllokimit të pandemisë covid-19, e deri më tani kur po flasim kemi keqpërdorime enorme sa i përket buxhetit komunal. Raporti i auditimit ka gjet shkelje të mëdha në komunën tonë të cilat i ka evidentuar në të gjitha fushat sikurse edhe raporti financiar që ka keqpërdorime enorme nga zyrtar komunal, prej kryetarëve të komunës deri te zyrtarë përgjegjës për menaxhimin e buxhetit të komunës”, ka thënë Fetahu.

Ndër shkeljet që u bën aty, Fetahu ka përmend se buxheti u keqpërdor edhe në kontratën e lidhur për riparimin e rrugëve të asfaltuara.

Ndërkaq, Asamblisti i PDK-së në komunën e Podujevës, Rafet Llapashtica ka thënë se gjatë kësaj periudhe kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19, udhëheqësi në këtë komunë po e shfrytëzon që paranë publike ta keqpërdorë në skajshmëri.

“Qeverisja lokale në Podujevë është e infektuar jo nga COVID-19 por nga korrupsioni dhe ky infeksion ka shkuar aq larg sa që është kalbëzuar. Në këtë periudhë pandemie që po kalon vendi ynë por edhe komuna jonë pushteti këtu po e shfrytëzon që paranë publike ta keqpërdorë në skajshmëri. Raporti i fundit financiar i paraqitur zyrtarisht nga ana e drejtorisë së financave tregon se si është keqpërdorur buxheti komunal. Komuna e Podujevës në këtë periudhë pandemie ka paguar 14 euro një palë doreza, sikurse ministri i shëndetësisë 40 euro një alkool, kurse ka paguar 28 euro një palë rroba llastiku. Një veturë ambulance e ka blerë në emër të pandemisë rreth 60 mijë euro, për mirëmbajtje dhe riparim të automjeteve komuna e Podujevës ka paguar 18 mijë euro”, ka thënë ai.

Rudari e Llapashtica, iu referuan Raportit të Auditorit, duke theksuar se Rudari veçse ka vazhduar qeverisjen e keqe 20-vjeçare të LDK-së dhe se nuk është i gatshëm të udhëheq këtë komunë.

/Gazeta Sinjali/