image PDK do t’a dërgojë në Kushtetuese punën e shtrenjtimit të rrymës: Supremja u ndikua nga Qeveria

Politikë

PDK do t’a dërgojë në Kushtetuese punën e shtrenjtimit të rrymës: Supremja u ndikua nga Qeveria

news image

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media pasi Gjykata Supreme i ka dhënë të drejtë ZRRE-së për tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike dhe ka anuluar vendimet e Apelit dhe Themelores, që i kishin dhënë të drejtë PDK-së në kërkesën e tyre.

Sipas zyrtarëve të kësaj partie, Gjykata Supreme është ndikuar politikisht dhe se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Këtë gjë e bëri të ditur, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu dhe avokati, Faton Fetahu.

Të dyja këto gjykata kanë qenë të një mendimi se kjo rritje është bërë edhe në kundërshtim me ligjin edhe në kundërshtim me përpjekjen tashmë të munguar – që qytetari i Kosovës të mbrohet nga shtrenjtimi i energjisë elektrike“, ka thënë Abdullahu.

Ai tutje ka shtuar se e kundërshtojnë ashpër këtë vendim të Gjykatës Supreme duke e konsideruar atë si vendim të ndikuar politikisht nga Qeveria aktuale.

Gjykata Supreme duket se ka qenë e prirur nga interesa të tjera klanore, karieriste dhe posaçërisht politike“, ka vijuar Abdullahu.

Sipas Abdullahut, në kohën kur çmimet e artikujve bazik janë rritur papërballueshëm dhe ato vazhdojnë të mos kenë të ndalur në rritje, e në kohën kur inflacioni po rritet, e qytetarët e Kosovës, sidomos të rinjtë po mendojnë seriozisht emigrimin, vendimi i Gjykatës Supreme është vendim i padrejtë, për nga mungesa e sensit për të kuptuar se si jeton qytetari i Kosovës.

Pastaj, ai ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës do ta vazhdojë angazhimin e saj rreth kësaj teme.

Ne do të gjejmë forma të mundshme juridike, për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë“, ka përfunduar Abdullahu.

Ndërsa, në anën tjetër, avokati Faton Fetahu ka thënë se ky është një vendim i padëgjuar në vendimmarrjet gjyqësore të sistemit të Kosovës.

Është kusht që Gjykata Supreme ti vlerësoj tri kushte para një vendimi dhe këtë nuk e ka bërë. Një prej këtyre kushteve është vlerësimi se a është ai vendim në dëm të interesit qytetar. Gjykata nuk e ka bërë punën e saj në pajtim me ligjin, duke rënë ndesh me disa parime të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Supreme, me keqardhje e them, duket se e kishte të gatshëm këtë vendim“, ka thënë avokati Fetahu.

Tutje ai ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës, do ta dërgoj këtë vendim për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

/GazetaSinjali/