image PDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për veprimet e “Syri i Popullit”

Kosovë

Reagimi/ PDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për veprimet e “Syri i Popullit”

news image

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media e ka quajtur dënimin e organizatës terroriste “Syri Popullit” një lajm të mirë për qytetarët, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës dëshmuan edhe njëherë fuqinë dhe profesionalizmin për të parandaluar, kapur dhe dënuar një grup të terroristëve të cilët kishin ndërmarrë një tentim vrasje dhe po planifikonin të vrisnin kundërshtarët politikë ku në listat e tyre të ekzekutimit figuronin udhëheqës shtetërorë, figura të partive politike dhe personalitete publike”, thuhet në deklaratë. 

PDK është shprehur se “dënon fuqishëm përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, siç thuhet, me qëllime dashakeqëse krijoi, frymëzoi dhe shtyri këtë grup terrorist për të eliminuar kundërshtarët politikë. Për më tepër, PDK kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga ky grup terrorist”.

Ndryshe, gjykata sot në rastin e njohur si “Syri i Popullit” ka dënuar Avni Llumnicën me 12 vjet burgim, Sadri Ramabaja 5, Halim Halimi 3, Behxhet Luzha 2, Bajrush Konjusha 3, Rexhep Toplana 2 vjet.

Gjykata ka gjetur fajtor edhe Murat Jasharin, por për shkak të gjendjes shëndetësore të tij, ai do të dërgohet për mbajtje në trajtim të detyrueshëm psikik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh, ndërsa është refuzuar aktakuza ndaj Sabit Berisha dhe Lirie Luzha.

Sipas trupit gjykues, të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, më 15 maj 2017, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të  Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetërorë të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.

Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, publicistë etj.

I akuzuari Murat Jashari sipas aktakuzës kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar, i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e ‘tradhtarëve të vendit’.