Në zënkat mes të miturve shpesh herë përfshihen edhe prindërit e tyre. Por janë të rralla rastet kur ata eskalojnë në dhunë fizike ndaj bashkëmoshatarëve të fëmijëve të tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një vajzë e mitur gjatë ditës së djeshme ka përfunduar në spital, si pasojë e lëndimeve që dyshohet se ia shkaktoi nëna e një shoqeje të shkollës.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e dyshuara pasi mori vesh se vajza e saj është zënë me viktimën, e ka sulmuar këtë të fundit fizikisht duke e goditur me grushte.
Rasti është denoncuar në Polici nga e mitura e cila në shoqërinë e babait të saj ka rrëfyer gjithë ngjarjen, teksa ka shfaqur edhe pamjet të filmuara nga momenti i sulmit.
Ndërkohë e dyshuara është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ka dhënë deklaratën e saj para hetuesve.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj 42-vjeçares të iniciohet rasti ‘Sulm’ dhe e njëjta të ndalohet për 48 orë.