Pas arriti në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi e Maqedoni, varianti i ri i COVID-19, Omicron ka arritur edhe në Kosovë. Përmes një njoftimi IKShPK lajmëroi se 9 persona kanë rezultuar pozitiv në testin për Omicron, shkruan Gazeta Sinjali.
Kosova disa ditë më parë dërgoi 72 mostra për testim për variantin Omicron të koronavirusit në Gjermani, rezultatet e të cilave u publikuan sot.
Sipas njoftimit të IKShPK-së, 2 raste janë të importuara nga SHBA-të, 2 nga Londra, 1 nga Franca dhe 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.
Aktualisht në Kosovë janë 349 raste pozitive, ndërsa sot u shënua një viktimë dhe 12 raste të reja me COVID-19.
Ndërsa Shqipëria më 23 dhjetor njoftoi se mostrat e dërguara në Gjermani kanë rezultuar pozitiv në testimin për Omicron, e më 24 dhjetor Maqedonia e Veriut konfirmoi rastin e parë me këtë variant.
Në Mal të Zi u kofirmuan pesë raste më 16 dhjetor, ndërsa dy ditë më parë në Serbi.
Omicroni, sipas ekspertëve shëndetësorë, ka shumë ngjashmëri me gripin sezonal. Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti Delta Plus, shkruan Sinjali.