image Pasi Kurti tha se e ka hequr taksën ndaj Serbisë, reagojnë nga Beogradi: Është lajm i rrëmë

Kosovë

Politikë/ Pasi Kurti tha se e ka hequr taksën ndaj Serbisë, reagojnë nga Beogradi: Është lajm i rrëmë

news image

Beogradi ka reaguar pas heqjes së taksës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vendim ky që ishte paralajmëruar të hyjë në fuqi me datën 1 prill.

Por sipas Beogradit këto janë lajme të rreme dhe se kjo taksë nuk është hequr. Sipas tyre është vetëm një pezullim i taksës përderisa sipas tyre po prezantohen masa të tjera “ndëshkuese për Serbinë dhe ekonominë e tyre”.

“Kurti nuk e ka hequr taksën. Mos bini pre e lajmeve të rreme. Kryeministri i Institucioneve të Përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë ka njoftuar se të jem i saktë “vetëm pezullimi i taksës dhe pezullim i kushtëzuar“, ndërsa në të njëjtën kohë ka prezantuar masa tjera ndëshkuese për qytetarët tanë dhe ekonominë tonë që i ka quajtur masa të reciprocitetit”.

Sipas Marko Gjuriq, ky vendim i Kurtit është vetëm një shfaqje për bashkësinë ndërkombëtare.

“Prishtina po vazhdon të luajë me këtë çështje dhe perspektivën ekonomike të shoqërisë në Kosovë. Ky vendim është një shfaqje për një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Marko Gjuriq.

Gjuriq, tha se këto masa që janë marrë ndaj Serbisë nuk janë të ngjashme me situatën që ishte para se të vendosej taksa. Ai tha se masat e reja kanë të bëjnë me tregtinë dhe lirinë e mallrave e njerëzve.

“Por po vendosen barriera deri më sot të panjohura dhe që nuk kanë ekzistuar për tregtinë dhe lëvizjen e mallrave dhe të njerëzve”, ka thënë Gjuriq.

E si përfundim ai bëri thirrje që Prishtina e Beogradi të lënë anash dallimet e tyre.

“Është koha që këto dallime esenciale të lihen anash, “Konsideroj se nuk është koha për vendosjen e masave sikurse kanë vepruar në Prishtinë, por është koha kur edhe dallimet thella dhe thelbësore me Prishtinën duhet të mënjanohen. Dhe është koha kur të gjithë duhet të punojmë fuqishëm dhe të bashkëpunojmë për të tejkaluar këtë pandemi e cila nuk njeh kufij, apo përkatësi politike dhe kombësie”, ka thënë ai.

Qeveria në detyrë e Kosovës, ka votuar për heqjen e taksës 100% për produktetet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, duke i zëvendësuar ato me reciprocitet.

Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference për media, njoftoi se masat e reciprocitetit nuk do zbatoheshin me Bosnje Hercegovinën./GazetaSinjali/