image Pas vizitave në familjet e dëshmorëve, Thaçi nis përkujtimin e figurave historike shqiptare

Kosovë

Pas vizitave në familjet e dëshmorëve, Thaçi nis përkujtimin e figurave historike shqiptare

news image

Që kur është bërë publik lajmi për propozim-aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i pari i vendit nisi vizitat në familjet e dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndërsa, pas kthimit nga Haga ku u intervistua për katër ditë me radhë nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, Thaçi ka filluar përkujtimin e figurave të rëndësishme të cilat dhanë kontribut dhe lanë gjurmë në historinë e Kosovës.

Sot, presidenti përkujtoi ideologun e Lëvizjes Kombëtare, Hasan Prishtina, për të cilin tha se dha kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e kombit shqiptar në periudhën më të rëndësishme historike.

“Si deputet i parlamentit turk u angazhua për të drejtat politike dhe kombëtare. Si strateg ishte në krye të kryengritjeve të viteve 1908-1912. Si atdhetar dhe diplomat nuk u pajtua me copëtimin e tokave shqiptare dhe ngriti zërin në Konferencën e Parisit dhe në Lidhjen e Kombeve, duke denoncuar krimet serbe në Kosovën e pushtuar. Hasan Prishtina nuk e reshti asnjëherë përpjekjen për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai mbështeti financiarisht shkollimin e fëmijëve kosovarë në shkollat shqipe në Shqipëri. Për organizimin e kryengritjeve shkriu një pjesë të madhe të pasurisë. Hasan Prishtina ishte atdhetari më mendjendritur dhe zemërkulluar që prodhoi historia e kombit shqiptar“, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai thotë se ndihet krenar që Universiteti i Prishtinës mban emrin e Hasan Prishtinës./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/photos/a.606015099468853/4074770022593326/?type=3&theater