Tri ditë pas tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshin kryesor të Prishtinës, deputetja e kësaj partie, Fatmire Kollçaku, ka shkuar për të bërë testimin për koronavirus në Pejë, kanë njoftuar sinjalizuesit e Gazetës Sinjali.
Siç mëson Gazeta Sinjali, deputetja Kollçaku ka rezultuar negativ në testin për koronavirus.
E pyetur se a ka të bëjë testimi për koronavirus për shkak të pjesëmarrjes së saj në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilin u panë numër i madh i pjesëmarrësve, Kollçaku e ka mohuar një gjë të tillë.
“Unë jam mjeke dhe nuk besoj që duheni me u habit që u testova, sepse është e qartë që me rritje të rasteve edhe kontaktet e mundshme rriten. Kjo fare nuk ka të bëjë me protestën”, thuhet në përgjigjen me shkrim të deputetes Fatmire Kollçaku për Gazetën Sinjali.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtuar tubimin me mijëra pjesëmarrës në 15 vjetorin e themelimit të partisë, në kohën kur në vendin tonë rritej çdo ditë e më shumë numri i personave të prekur me koronavirus.
Ky tubim është kritikuar shumë nga njohësit e fushës së shëndetësisë, pasi aktualisht nuk rekomandohet grumbullimi i shumë njerëzve pa mbajtur distancën fizike. /Gazeta Sinjali/