Zëvendësministri i ri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Bardheci, nuk ka shkuar sot në vendin e tij të ri të punës, ku u emërua para pak ditësh, raporton Gazeta Sinjali.
Tringa Morina, asistente administrative në kabinetin e ministrit Ramë Likaj, ka thënë se zëvendësministri Driton Bardheci sot nuk ka dalë në punë.
“Nuk ka dalë në punë”, i ka thënë Morina Gazetës Sinjali.
Emërimi i Bardhecit në postin e zëvendësministrit është përcjellë me reagime të shumta të shoqërisë civile, organizatave studentore por edhe qytetarëve.
Talljet, ironitë por edhe ofendimet drejtuar zëvendësministrit të ri kanë vërshuar që nga dje, duke bërë që Bardheci t’i mbyllë rrjetet sociale Facebook dhe Twitter. Kjo, siç duket është bërë edhe më serioze pasi Bardheci nuk ka dalë as në punë.
Gazeta Sinjali gjatë ditës ka provuar të marrë një qëndrim nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për arsyet që i kanë pasur për ta propozuar Bardhecin për zëvendësministër, por asnjëri nga zyrtarët e kontaktuar nuk kanë pranuar të flasin.
Për Driton Bardhecin ka folur dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, i cili e ka konfirmuar për Sinjalin se i riu nuk i ka përfunduar ende studimet.
“Po, është student në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. E ka dëgju vitin e fundit, por s’e ka përfundu ende”, ka thënë Shala.
Gazeta Sinjali ka tentuar që të kontaktojë edhe me zëvendësministrin Bardheci, por telefoni i tij ka qenë i paqasshëm gjatë gjithë kohës. /Gazeta Sinjali