image Pas takimit me komandantin e KFOR-it, Hoti e Ramosaj tregojnë se çfarë do të bëhet me rrugën Deçan-Plavë

Kosovë

Pas takimit me komandantin e KFOR-it, Hoti e Ramosaj tregojnë se çfarë do të bëhet me rrugën Deçan-Plavë

news image

Kryeministri Avdullah Hoti sot ka shkuar në Komunën e Deçanit ku është pritur nga kryetari Bashkim Ramosaj në një takim të cilit iu ka bashkangjitur edhe komandanti i KFOR-it, Michele Rissi.

Pas takimit, Hoti ka thënë se kanë diskutuar çështje të rëndësishme, duke e përmendur veçanërisht rrugën Deçan-Plavë për të cilën tha se do të gjendet shpejt një zgjidhje, ndërsa ka theksuar se do t’i respektojnë vendimet e institucioneve dhe ligjet e nxjerra nga Kuvendi i Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Diskutuam për çështje të rëndësishme, për zhvillimin ekonomik lokal të Deçanit dhe në veçanti për çështjen e rrugës te manastiri. Ne kemi kulture institucionale edhe si komunë edhe si qeveri për të respektuar ligjet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për të respektuar vendimet që i nxjerrin institucionet tona vendore. Por ne gjithashtu jemi këtu për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të mbrojtur dhe promovuar interest e qytetarëve të Deçanit, por edhe për të tregu kujdesin e nevojshëm ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe botërore, siç është Manastiri i Deçanit. Unë jam i bindur që me diskutimet në ditët dhe  javët e ardhshme do të gjejmë zgjidhjen më të mire të dakorduar”, ka thënë Hoti.

Hoti nuk u përgjigj në pyetjen se a do të ndërtohet rruga Deçan-Plavë, ndërsa këtë e bëri kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tha se përkushtimi është që rruga të ndërtohet.

“Është një përkushtim i yni i përbashkët që të ndërtohet rruga, mirëpo që të zgjidhet kontestet në tërësi”, u shpreh Ramosaj. /Gazeta Sinjali