image Pas takimit me Borellin flet Hashim Thaçi, tregon se çka diskutuan

Kosovë

Konferenca/ Pas takimit me Borellin flet Hashim Thaçi, tregon se çka diskutuan

news image

Ka përfunduar takimi në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell.

Pas këtij takimi që nuk zgjati shumë minuta, para mediave është deklaruar presidenti Hashim Thaçi, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai ka thënë se vizita e Josep Borell është tejet e mirëseardhur për Kosovën, pasi që kjo sipas tij tregon rritjen e vëmendjes së BE-së për Kosovën.

“Ne zhvilluam një bisedë të shkëlqyer për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, për të ardhmen evropiane dhe është një mesazh i fuqishëm vetë vizita e parë që Borell e zhvillon në Kosovë për të vazhduar tutje në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon rritjen e vëmendjes së BE për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë fillimisht ai.

Ai më tutje ka thënë se kanë diskutuar edhe për liberalizimin e vizave si dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Në veçanti sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Kosova është trajtuar padrejtësisht, sepse Kosova ka implementuar në tërësi të gjitha kriteret që të ndodhë liberalizimi i vizave. Andaj, besoj dhe e shpreh edhe njëherë zhgënjimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me mos nxjerrjen e vendimit nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave”, tha Thaçi.

I pari i shtetit tha se për liberalizimin e vizave është bërë një vlerësim i standardeve jo të njëjta me vendet e tjera në rajon.

“Bashkimi Europian ka bërë një gabim strategjik me mos liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky izolim dhe diskriminim i Kosovës është krejt i padrejtë sepse po e pengon të ardhmen evropiane”.

Teksa sa i përket mundësisë së arritjes së marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, i pari i vendit tha se ka besim që së bashku me ekipin e tij, Borell do të punojë fuqishëm në garantimin e një procesi transparent, dialogu që do të sjellë rezultate për të dy vendet./Gazeta Sinjali/