image Pas reagimit të QUINT-it, Thaçi shkruan për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pastaj e fshien

Kosovë

Politikë/ Pas reagimit të QUINT-it, Thaçi shkruan për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pastaj e fshien

news image

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas deklaratës së përbashkët të ambasadorëve të QUINT-it në lidhje me situatën politike aktuale në vend.

Thaçi ka thënë se e mirëpret deklaratën e tyre, e cila sipas presidentit është e njëjtë me kërkesat e tij, shkruan Gazeta Sinjali.

Fillimisht Thaçi shkroi që duhet të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, por që nuk vonoi shumë dhe ndryshoi shkrimin duke e fshirë atë pjesë.

“E mirëpres deklaratën e vendeve të QUINT-it që ndajnë të njëjtat kërkesa me ato të mijat për respektimin e Kushtetutës dhe Ligjeve, si dhe përqëndrimin në luftën kundër koronavirusit, në vend që kjo të përdoret për betejat politike. Mirëqenia e qytetarëve tanë është thelbësore, kështu që ne duhet të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme sa më parë që është e mundur”, kishte shkruar si fillim ai në Twitter, por më pastaj e kishte përfunduar shkrimin me “mirëqenia e qytetarëve tanë është thelbësore”.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it sot përmes një deklarate të përbashkët u bënë thirrje liderëve politikë e institucional që të përqendrohen në luftën ndaj koronavirusit, duke e vendosur këtë si prioritet para politikës.

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës si masë tjetër parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit, ka marrë vendim që të ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00. Këtë vendim, presidenti i vendit, Hashim Thaçi sot e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pasi që sipas tij është veprim antikushtetues.

Në Kosovë deri më tani janë të konfirmuara 61 raste me koronavirus dhe është shënuar një viktimë./Gazeta Sinjali/