image Pas rasteve të reja me koronavirus në Prizren, Haskuka u lutet qytetarëve që t'i respektojnë masat

Kosovë

Reagim/ Pas rasteve të reja me koronavirus në Prizren, Haskuka u lutet qytetarëve që t’i respektojnë masat

news image

Dy nga 14 rastet pozitive me koronavirus që u konfirmuan sonte nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, janë nga Prizreni, shkruan Gazeta Sinjali.

Pas shënimit të këtyre rasteve ka reaguar kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka i cili ka thënë se lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë.

Andaj, i pari i Prizrenit ka apeluar që qytetarët që të vazhdojnë të mbajnë distancën fizike dhe maskat, si dhe t’i respektojnë masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

“Sot pas disa ditësh prapë kemi 2 raste pozitive me COVID-19 në Prizren dhe 14 raste të reja në Kosovë. Dihet medoemos se duhet të vazhdojmë të mbajmë distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Ju lutem respektoni orarin e lëvizjes, mbani distancën fizike dhe mbani maskat në vendet publike. Nëse dëshirojmë të kthehemi normalitetit, duhet t’i respektojmë masat. Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj”, ka shkruar Haskuka në Facebook. /Gazeta Sinjali/