Tri punëtore humbën sot vendin e punës në supermarketin “Viva Fresh Store” në lagjen “Dardania” në Gjilan, pasi që refuzuan të punonin 12 orë, shkruan Gazeta Sinjali.
Ani pse, sot ky supermarket, si të gjitha supermarketet në vend, do të duhej të ishte i mbyllur, përveç që punoi duke shkelur vendimin e 6 nëntorit të Qeverisë së Kosovë, “Viva Fresh Store” ua privoi të drejtën për pushim gjatë fundjavës punëtorëve të saj dhe i obligoi ata të punonin jashtë orarit.
Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se ky supermarket i kishte larguar nga puna tri punëtore që refuzuan një gjë të tillë.
Por, menaxhmenti i këtij supermarketi ndryshoi mendje pas raportimit të Gazetës Sinjali.
Një sinjalizues njoftoi se para pak minutave, menaxheri i kësaj pike u ka dërguar mesazh tri punëtoreve në fjalë që nesër pasdite të paraqiten në punë./Gazeta Sinjali/