image Pas raportimit të Sinjalit, prokuroria nis hetimet për vdekjen e 15-vjeçares nga Drenasi në QKUK

Kosovë

Drejtësi/ Pas raportimit të Sinjalit, prokuroria nis hetimet për vdekjen e 15-vjeçares nga Drenasi në QKUK

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas raportimit të Gazetës Sinjali për rastin e vdekjes së 15-vjeçares, Anita Mehmeti nga Drenasi, në QKUK, dy ditë më parë.

Lajmi për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Po e konfirmova nga kryeprokurori Kujtim Munishi që kanë filluar hetimet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për këtë rast. Do të thotë është autorizuar policia e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave të tjera për ta zbardhur këtë rast”, tha ajo.

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi që babai i Anitës, Rrahim Mehmeti po i fajëson mjekët për vdekjen e vajzës së tij, pasi thotë se ata nuk e kanë “marrë në dorë” atë sa ka qenë e sëmurë.

Anita Mehmeti vdiç dy ditë më parë në QKUK, ku babai i saj thotë se ishte “shëtitur” nga Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe asaj të Pediatrisë, pa u ndihmuar nga askush.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së 15-vjeçares, pasi babai i saj ka refuzuar që trupit të pajetë të Anitës t’i bëhet obduksioni.

“Unë nuk i lejova me ia bo autopsinë, e kemi marrë trupin, ku me leju se ata sa ke gjallë çika nuk e merrshin në dorë, çka me leju me ma pre aty çikën”, tha mbrëmë Mehmeti./Gazeta Sinjali/