image Pas raportimit të Sinjalit, IKP-ja rekomandon suspendimin e 4 zyrtarëve policorë të Kosovës

Drejtësi

Pas raportimit të Sinjalit, IKP-ja rekomandon suspendimin e 4 zyrtarëve policorë të Kosovës

news image

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së, pas raportimit të Gazetës Sinjali, ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë (që të gjithë punonjës në Njësinë e Reagimit të Shpejtë- Gjilan) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali dje raportoi se katër të rinj nga Gjilani pretendonin se janë sulmuar nga gjashtë zyrtarë policorë (emra të njohur për redaksinë) mbrëmjen e së shtunës në lokalin “Mono” që gjendet në lagjen “Gavrani” në Gjilan.

Ata madje dhanë edhe versionin e tyre për Sinjalin.

IPK-ja thotë se rasti ka ndodhur më 22.05.2021 rreth orës 22:00 në një lokal në Gjilan kurse IPK hetimet lidhur me këtë rast ka filluar dy ditë më herët kur hetuesit e Inspektoratit Policor kanë pranuar një ankesë nga një qytetar i cili pretendonte se ndaj tij dhe tre qytetarëve të tjerë ka pasur  tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

“Rekomandimi për suspendimin e zyrtarëve policorë ka ardhur pas analizimit të ankesës dhe shkresave tjera (raporteve mjekësore dhe fotografive) të cilat IPK i ka siguruar gjatë veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore Gjilan”, thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.  /Gazeta Sinjali/