image Pas publikimit të lajmit nga Sinjali, vjen arsyetimi i doktoreshës për produktet pa afat dhe injektimet e tubave të gabuar - Sinjali

Pas publikimit të lajmit nga Sinjali, vjen arsyetimi i doktoreshës për produktet pa afat dhe injektimet e tubave të gabuar

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi se doktoresha Fitore Boshnjaku Halili dyshohet se gjatë një procedure të injektimit të plazmës së ndarë nga gjaku, për injektim në kokën e një pacienti, ka përdorur produkte me afat të skaduar. Tubat që janë përdorur nga doktoresha për procedurën PRP, janë për përdorim në laborator, për marrjen e gjakut, dhe jo tuba prej të cilave mund të injektohet pastaj gjaku. Doktoresha u lajmërua në Gazetën Sinjali dhe e pranoi se ka përdorur këto produkte, por e mohoi se afati i tyre kishte skaduar.

Pas disa orëve prej kur Sinjali publikoi artikullin, Boshnjaku-Halili ka kthyer përgjigjet në pyetjet që ia kishte dërguar Sinjali. Ajo ka mohuar se ka përdorur produkte pa afat, me arsyetimin se fotot janë publikuar më vonë, por që e ka pranuar se ka përdorur produkte që nuk do të duhej të përdoreshin për injektim.

Në produktet e përdorura shihet se afati i skadencës është më 19 maj 2021, ndërsa fotoja është publikuar më 26 korrik. Pra, sipas doktoreshës, fotot janë publikuar 2 muaj e gjysmë më vonë, gjë që shumë rrallë mund të ndodhë.

“Ne lidhje me foton, momenti i intervenimit nuk perputhet me daten e postimit te fotos, per arsye se jo cdo here i postojme fotot menjehere. Natyrisht qe afatet i percjellim sidomos para hapjes se secilit produkt mjekesor para pacientit”, thuhet në përgjigjen e doktoreshës.

Por doktoresha nuk e ka mbështetur pretendimin e saj me asnjë dokumentacion, se intervenimi është bërë para datës së skadencës së produktit. Madje të gjitha faktet tregojnë të kundërtën e asaj që doktoresha ka deklaruar.

Ndërsa sa i përket përdorimit të tubave, që sipas udhëzuesit “GUIDELINES ON MEDICAL DEVICES”, i bie që doktoresha i ka përdorur gabimisht, ajo përgjigjet se përdorimi i tyre varet nga nevoja dhe rasti. Pra, ajo e ka pranuar se ka përdorur tuba në procedurën PRP, për injektim te pacienti.

“Ndersa per tipin e tubave, ne i perdorim dy lloje te tubave Collection Tube (ne foto) e cila eshte per general use dhe PRP Tube e cila perdoret specifikisht per injektime te PRP. Perdorimi i tubet varet nga nevoja, rasti dhe lloji i tretmani te cilen doktori e percakton. Poashtu tubat permbajne sodium citrat 3.8% e cila eshte antikoagulant, e cila eshte adekuate per perdorim te PRP.”

Boshnjaku Halili për procedurën PRP, ka përdorur “Blood Collection Tubes”, pra tuba për marrjen e gjakut. Këta tuba bëjnë pjesë në pajisjet IVD (in vitro diagnosis), pra janë tuba për përdorim në laborator, për marrjen e gjakut, për diagnostikim dhe jo tuba prej të cilave mund të injektohet pastaj gjaku. Kjo është e rregulluar edhe me udhëzuesin “GUIDELINES ON MEDICAL DEVICES”.

Mungesa e informacioneve te pacientët, i vë në rrezik ata, duke u bërë subjekt eksperimentimi me produkte të llojllojshme dhe shërbime jocilësore.

Kujtojmë se procedura PRP kushton nga 70 deri në 100 euro, ndërkaq çmimi i tubave që përdoren për këtë procedurë  në Kosovë varion nga një deri në 10 euro.

Pavarësisht eksperimentimeve te pacientët, siç duket inspektoriati i Ministrisë së Shëndetësisë është ende në gjumë, derisa ndërhyrjet e tilla po vazhdojnë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e saj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin