Gazeta Sinjali sot raportoi se doktoresha Fitore Boshnjaku Halili dyshohet se gjatë një procedure të injektimit të plazmës së ndarë nga gjaku, për injektim në kokën e një pacienti, ka përdorur produkte me afat të skaduar. Tubat që janë përdorur nga doktoresha për procedurën PRP, janë për përdorim në laborator, për marrjen e gjakut, dhe jo tuba prej të cilave mund të injektohet pastaj gjaku. Doktoresha u lajmërua në Gazetën Sinjali dhe e pranoi se ka përdorur këto produkte, por e mohoi se afati i tyre kishte skaduar.
Pas disa orëve prej kur Sinjali publikoi artikullin, Boshnjaku-Halili ka kthyer përgjigjet në pyetjet që ia kishte dërguar Sinjali. Ajo ka mohuar se ka përdorur produkte pa afat, me arsyetimin se fotot janë publikuar më vonë, por që e ka pranuar se ka përdorur produkte që nuk do të duhej të përdoreshin për injektim.
Në produktet e përdorura shihet se afati i skadencës është më 19 maj 2021, ndërsa fotoja është publikuar më 26 korrik. Pra, sipas doktoreshës, fotot janë publikuar 2 muaj e gjysmë më vonë, gjë që shumë rrallë mund të ndodhë.
“Ne lidhje me foton, momenti i intervenimit nuk perputhet me daten e postimit te fotos, per arsye se jo cdo here i postojme fotot menjehere. Natyrisht qe afatet i percjellim sidomos para hapjes se secilit produkt mjekesor para pacientit”, thuhet në përgjigjen e doktoreshës.
Por doktoresha nuk e ka mbështetur pretendimin e saj me asnjë dokumentacion, se intervenimi është bërë para datës së skadencës së produktit. Madje të gjitha faktet tregojnë të kundërtën e asaj që doktoresha ka deklaruar.
Ndërsa sa i përket përdorimit të tubave, që sipas udhëzuesit “GUIDELINES ON MEDICAL DEVICES”, i bie që doktoresha i ka përdorur gabimisht, ajo përgjigjet se përdorimi i tyre varet nga nevoja dhe rasti. Pra, ajo e ka pranuar se ka përdorur tuba në procedurën PRP, për injektim te pacienti.
“Ndersa per tipin e tubave, ne i perdorim dy lloje te tubave Collection Tube (ne foto) e cila eshte per general use dhe PRP Tube e cila perdoret specifikisht per injektime te PRP. Perdorimi i tubet varet nga nevoja, rasti dhe lloji i tretmani te cilen doktori e percakton. Poashtu tubat permbajne sodium citrat 3.8% e cila eshte antikoagulant, e cila eshte adekuate per perdorim te PRP.”
Boshnjaku Halili për procedurën PRP, ka përdorur “Blood Collection Tubes”, pra tuba për marrjen e gjakut. Këta tuba bëjnë pjesë në pajisjet IVD (in vitro diagnosis), pra janë tuba për përdorim në laborator, për marrjen e gjakut, për diagnostikim dhe jo tuba prej të cilave mund të injektohet pastaj gjaku. Kjo është e rregulluar edhe me udhëzuesin “GUIDELINES ON MEDICAL DEVICES”.
Mungesa e informacioneve te pacientët, i vë në rrezik ata, duke u bërë subjekt eksperimentimi me produkte të llojllojshme dhe shërbime jocilësore.
Kujtojmë se procedura PRP kushton nga 70 deri në 100 euro, ndërkaq çmimi i tubave që përdoren për këtë procedurë në Kosovë varion nga një deri në 10 euro.
Pavarësisht eksperimentimeve te pacientët, siç duket inspektoriati i Ministrisë së Shëndetësisë është ende në gjumë, derisa ndërhyrjet e tilla po vazhdojnë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e saj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.