Ministria e Integrimit Evropian, e udhëhequr nga Dhurata Hoxha e PDK-së, ka anuluar edhe katër konkurse në këtë ministri.
Kjo ministri dje kishte anuluar njërin nga 5 konkurset e kontestuara, e sot ka konfirmuar përmes faqes zyrtare se ka anuluar edhe katër të tjerë.
“Anulohen, konkurset publike në Ministrinë e Integrimit Evropian, për pozitën: 1. Zyrtar i/e Lartë për Integrime Evropiane / Zyrtar i/e Lartë për kritere Ekonomike dhe Zhvillim me numër reference 12/2019 / ZSP/MIE. 2. Zyrtar i/e Lartë për Integrime Evropiane / Zyrtar i/e Lartë për Tregun e Brendshëm me numër reference 13/2019 / ZSP / MIE. 3. Zyrtar i/e Lartë për Integrime Evropiane PËR Punë të Brendshme me numër reference 15/2019. 4. Zyrtar i/e Lartë për Asistencë zhvillimore me numër reference 16/2019 , të shpallura me datë 23.07.2019 deri me datë 06.08.2019. Nga pjesëmarrësit në konkurs kërkojmë mirëkuptim”, thuhet në njoftimin e MIE-së.
Në njërin prej konkurseve të Ministrisë së Integrimit Evropian, ishte punësuar edhe aktivistja e PDK-së, Valentina Hamza. Ajo është emëruar udhëheqëse e Divizionit për Teknologji Informative dhe Logjistikë.
Aktivistja nga Klina e Skenderajt, Valentina Hamza, përveç që i shërben PDK-së si aktiviste, ka një afërsi edhe me deputeten në largim të kësaj partie, Ganimete Musliun. /Gazeta Sinjali/