Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, deklaroi sot se politika e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vendos paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nxitës i provokimeve dhe trazirave.
Duke komentuar fjalët e Kurtit se Vuçiq është Putini i vogël, Selakoviq tha se Kurti është “Hitleri i vogël ballkanik”, i cili thotë gënjeshtra dhe i sheh gjërat ashtu siç do të donte të dukeshin.
“Presidenti Vuçiq del me iniciativa si Ballkani i Hapur dhe Kurti bën thirrje për krijimin e Shqipërisë së madhe, një projekt që ekzistonte në kohën e Hitlerit“, tha Selakoviq në TV Pink.
Tutje ai shtoi se: “Vuçiq ka nisur një sërë projektesh infrastrukturore në rajon. Qëllimi i tyre është të lidhin kryeqytetet rajonale. Kur lidheni më mirë infrastrukturor, atëherë lidheni më mirë ekonomikisht, kur lidheni më mirë ekonomikisht, atëherë është më e lehtë të zgjidhni problemet e pazgjidhura politike“.