Policia e Shqipërisë ka arrestuar dy persona pasi kanë lejuar përhapjen e lajmeve të rreme.
Ata janë administratorët e faqes Jeta Osht Qef, Ereland Dalliu dhe Gentian Çengeli.
“Në Tiranë, janë proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të faqes së internetit Jeta Osht Qejf. Këta shtetas, nëpërmjet faqes nën administrim të tyre, kanë lejuar publikimin e njoftimeve të rreme, të cilat mbjellin panik tek qytetarët”, njofton policia.
“Policia e Shtetit, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm për zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore, duke synuar jo vetëm sigurinë fizike të qytetarëve, por edhe garantimin e qetësisë dhe ndjenjës së sigurisë, po merr masa për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të gjithë personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dje kishte kërcënuar portalet dhe kanalet e informimit, se nëse vazhdojnë sipas tij të shpërndajnë lajme të rreme, do të ndërhyjë forcërisht për mbylljen e tyre.
“Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik”, kishte shkruar Rama në rrjetin social Twitter./Gazeta Sinjali/