Një kamion me mallra të lëndës së parë ka hyrë nga Serbia në Kosovë deri në mesditë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë hyrë rreth 170 kamionë me mallra nga vende të ndryshme, por që kanë përdorur Serbinë si vend transit.
“Pas arritjes së vendimit në Doganën e Kosovës, ne menjëherë i kemi aktivizuar sistemet tona dhe kemi filluar aplikimin e këtij vendimi të Qeverisë. Deri në momentet që po flasim kemi maunën e parë me mallra nga Serbia e cila është në procedurën e zhdoganimit. Pra, kryesisht është me lëndë të parë, produkte për paketim”, ka thënë Stavileci për KOHA-n.
Ndërsa nga Bosnjë-Hercegovina, deri më tani, sipas Stavilecit, ende nuk ka hyrë ndonjë kamion me mallra të lëndës së parë.
Heqja e tarifës për lënden e parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, është futur në fuqi, sot.
“Gjatë 24-orëshit të fundit kemi pasur rreth 170 maune nga vende të ndryshme të cilat kanë transituar nëpër Serbi dhe kanë hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare, normalisht duke iu nënshtruar kontrolleve të shtuara higjienike dhe sanitare të cilat bëhen prej mjekëve në pikat kufitare”, ka shtuar Stavileci./Gazeta Sinjali/