image Pas Haxhiut, edhe Kurti paralajmëron dorëheqje e shkarkime pas vrasjes së 35-vjeçares

Drejtësi

Pas Haxhiut, edhe Kurti paralajmëron dorëheqje e shkarkime pas vrasjes së 35-vjeçares

news image

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar dorëheqje e shkarkime të të gjitha atyre që kanë dështuar të kryejnë detyrën e tyre në rastin e vrasjes së 35-vjeçares, Hamide Magashi, nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili.

Ai më tej ka sqaruar se ka aprovuar kërkesën për inspektime të shtuara në këtë rast me kërkesë të Grupit ndërministror.

Madje ai ka akuzuar gjyqësorin për mosefikasitet duke thënë se shumë lëndë janë pluhurosur në sirtarë.

“Grupi ndërministror ka shtruar disa kërkesa që unë i kam aprovuar dhe do të bëhen inspektimet. I gjithë zinxhiri institucional i papërgjegjësisë duhet të dorëhiqet ose hiqet”.

“Ne nuk mund të merremi me vendime të cilat i bënë gjyqësori mirëpo me keqardhje kur vije puna me vetvete po dalin të jenë efikas për dallim prej lëndët të panumërta që janë pluhurosu në sirtarët e drejtësisë e të cila nuk trajtohen si duhet”.

“Unë po e ritheksoj pagat në sektorin publik do të rregullohen me paga të reja. Është ligji mbi paga dhe zyrtar publik. Bindja ime e fuqishme cak po ndodh me grevë është se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi”.

Ndërkohë i dyshuari kryesor për vrasjen e saj, Sokol Halili, as gati 48 orë pas krimit monstruoz, ende s’ka rënë në prangat e Policisë. Operacioni për kapjen e tij ka nisur menjëherë pas momentit tragjik, kur edhe është identifikuar dorasi nga hetuesit policorë, mirëpo edhe përkundër kërkimeve ende nuk është lokalizuar vendndodhja e tij.

Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në katër lokacione në qytetin e Vushtrrisë, për shkak se telefoni i Halilit ka rezultuar me qasje pikërisht në këtë qytet, shkruan Sinjali. Po ashtu sipas sinjalizimeve, kërkimet janë shtrirë edhe në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në kryeqytet.

Hamide Magashi e cila ishte në javën e 41-të të shtatzënisë dhe po priste të sillte në jetë një djalë, u ekzekutua me armë zjarri nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, 31-vjeçar, i cili me të kryer veprën është larguar në drejtim të panjohur me veturën e tij, e cila tashmë është gjetur nga Policia.

Ajo u varros sot në varrezat e fshatit Llugaxhi në Lipjan.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/