image Pas formimit të Kuvendit, Hasani i sheh të gabuara rrugët për formimin e Qeverisë dhe Presidencës

Politikë

Pas formimit të Kuvendit, Hasani i sheh të gabuara rrugët për formimin e Qeverisë dhe Presidencës

news image

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e quan të gabuar rrugën që synohet të ndiqet për formimin e institucioneve të reja, shkruan Gazeta Sinjali.

Hasani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nesër, më 22 mars kur edhe pritet të mbahet seanca konstituive, Kuvendi dhe Presidenca po synohet të formohen gabimisht.

Shihet shumë qartë që nesër, pas formimit të Kuvendit, do të shkohet në rrugën e gabuar të themelimit të ekzekutivit e më pas të organit tjetër që nuk është pushtet dhe që quhet Presidenti i Republikës. Kjo bëhet për arsye politike dhe politikisht mund të duket në rregull. Në aspektin kushtetues, ndërkaq, kjo nuk është kështu: renditja e organeve kushtetuese domosdo që imponon nevojën e ndjekjes së hierarkisë së tyre të përcaktuar me kushtetutë. E kam fjalën për formimin e tyre që ndodhë pas zgjedhjeve të reja të përgjithshme”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, gabim i madh është kur thuhet se “lejohet çdo gjë që nuk ndalohet shprehimisht me kushtetutë, sepse normat kushtetuese nuk janë norma penale, në pjesën e tyre dërrmuese”.

“Shumë rrallë normat kushtetuese ndalojnë. Ato kryesisht autorizojnë. Në të drejtën penale mund të ndiqet logjika e tillë, por asnjëherë në të drejtën kushtetuese. Kjo sepse një logjikë e tillë pashmangësisht shpie në anarki dhe kaos. Këtë herë mund t’i duket mirë dhe ëmbël dikujt, por herën tjetër do t’i vjen keq për një gjë të tillë. Radhitja e organeve në një kushtetutë është normë implicite kushtetuese”, ka potencuar profesori i së drejtës ndërkombëtare.

Ai ka shtuar se, askund në Kushtetutën e Kosovës nuk parashikohet tradhtia kombëtare nga ana e shefit të shtetit, por ajo nënkuptohet.

Askund në Kushtetutën e Kosovës nuk parashikohet ndalimi i Presidentit të Republikës për të qenë shef i partisë politike, por një President i Kosovës ka paguar çmim për këtë sepse një ndalesë e tillë del nga vetë natyra e sistemit kushtetues kosovar; askund në Kushtetutën e Kosovës nuk thuhet se Presidenti e ka të ndaluar nënshkrimin e marrëveshjeve për këmbim territoresh, por një gjë e tillë nënkuptohet sepse është normë implicite kushtetuese”, ka theksuar Hasani.

Ai nuk sheh të ketë ndonjë pengesë për formimin e organit ligjvënës për shkak se kryetari i Kuvendit i takon, sipas normës shprehimore kushtetuese, fituesit të zgjedhjeve, këtë rast LVV-së. /Gazeta Sinjali/