Shqipëria ka marrë zyrtarisht kryesimin e Procesit së Berlinit dhe Samiti i radhës do të mbahet muajin tjetër në Tiranë. Në 6 dhjetor, do të organizohet i pari samit i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë.
Ndërkohë, në samitin që u mbajt këtë të enjte në Berlin, u përcoll qartë mesazhi i vëmendjes së ripërtërirë të Europës për Ballkanin Perëndimor, me nënshkrimin e tre marrëveshjeve të lëvizshmërisë që parashikojnë lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe dhe kualifikimeve për tri profesione: mjekët, arkitektët dhe dentistët.
Marrëveshjet u firmosën nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në samitin e Berlinit konsiderohen si të barabartë. Kancelari Scholz e bëri të qartë se stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të shkëputet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Europës në tërësi. “Europa mund të kompletohet vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj”, ishte komenti i tij.
Atë që nuk e bëri dot Open Balkan, e bëri Procesi i Berlinit i nisur në 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e që sot, në sfondin e luftës në Ukrainë dhe vëmendjes së ripërtërirë të Europës për Ballkanin Perëndimor, përjeton një dimension të ri, mjaft më konkret.