image Partitë politike në Kosovë shpenzuan mbi 1 milion euro vetëm për tri ditë

Kosovë

Fushatë/ Partitë politike në Kosovë shpenzuan mbi 1 milion euro vetëm për tri ditë

news image

Për tri ditë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, partitë politike kanë shpenzuar hiç më pak se  1 milion e 64 mijë euro.

Kështu u  bë e ditur në një konferencë  për media të rrjetit të organizatave  joqeveritare Demokracia në Veprim.

Për këto shpenzimet marramendëse që subjektet politike po i bëjnë për të mbuluar aktivitetet e tyre elektorale,  foli Mexhide Demolli-Namani nga DnV.

 “Duke kalkuluar këto të gjitha me çmimet mesatare të tregut për secilin produkt ose shërbim, subjektet politike për këtë periudhë kanë shpenzuar rreth 1 milion e 64 mijë euro për organizimin e aktiviteteve në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.

Përfaqësuesi i DnV, Artan Murati, tha se deri më tani janë realizuar 217 aktivitete nga të gjitha subjektet politike, ku sipas tij Partia Demokratike e Kosovës (PDK), prinë me gjithsej 70 tubime.

Ai theksoi se partitë politike nuk po i  respektojnë obligimin e tyre duke mos i lajmëruar aktivitete në KZK, ku sipas legjislacionit në fuqi të gjitha aktivitetet politike duhet të lajmërohen 24 orë më herët.

 “Është obligim ligjor që kur të mbahet një aktivitet elektoral, ai duhet të lajmërohet në Këshillat komunalë zgjedhorë, mirëpo jo të gjitha partitë politike janë duke e respektuar këtë obligim ligjorë, sepse deri më tani 140 aktivitete kanë qenë të paralajmëruar, ndërsa 40 aktivitete të monitoruara nga vëzhguesit e DnV nuk kanë qenë fare të lajmëruara”, u shpreh Murati.

Duke folur për rëndësinë e kuotës gjinore, Murati theksoi se numri i grave pjesëmarrëse në aktivitete elektorale është i vogël.

 “Në rast se kemi hasur se ka shkelje të kodit të mirësjelljes nga subjektet politike, kemi drejtuar edhe ankesa drejtuar në “PZAP”. Deri më tani janë drejtuar 6 ankesa, ku për tri nga ato kemi marrë përgjigje pozitive dhe vlera e dënimeve për këto ankesa është 36 mijë euro”, deklaroi Murati.

Po ashtu DnV bëri vërejtje edhe për veprime të paligjshme të subjekteve gjatë fushatës, siç janë shfrytëzimi i veturave zyrtare për fushatë dhe përdorimi i shërbyesve civilë. U  tha se këto fenomene po ndodhin në komunat ku partitë politike udhëheqin me atë komunë./Gazeta Sinjali/