image Partitë politike në Kosovë me akuza të ndërsjella për kërcënime dhe shantazhe

Kosovë

Zgjedhje/ Partitë politike në Kosovë me akuza të ndërsjella për kërcënime dhe shantazhe

news image

Sjelljet jokorrekte, kërcënimet, shantazhet dhe presionet janë duke e përcjellë procesin zgjedhor në hapësirat me shumicë serbe në Kosovë, thonë liderët e partive politike të këtij komuniteti në vend, duke vlerësuar se situata do të përkeqësohet edhe më tej.

Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 6 tetor në Kosovë, do të fillojë zyrtarisht më 25 shtator dhe do të zgjasë 10 ditë. Në garë janë 25 subjekte politike, prej të cilat 4 janë të komunitetit serb, koalicioni “Liria” me seli në Graçanicë, Partia e Pavarur Liberale, po ashtu me seli në Graçanicë, Partia e Serbëve të Kosovës, me seli në Leposaviq, si dhe Lista Serbe, me seli në Mitrovicën Veriore, e cila ka pushtetin lokal në 10 komunat me shumicë serbe.

Kjo e fundit, në mandatin e kaluar të legjislativit ka pasur 9 nga 10 ulëset e garantuara për deputetët e komunitetit serb. Ndonëse fushata zgjedhore ende nuk ka nisur zyrtarisht, akuzat, para së gjithash ndaj Listës Serbe, të cilën e mbështetë Beogradi zyrtar, janë të shumta.

Bartësi i listës së koalicionit “Liria” dhe kandidati për kryeministër, Nenad Rashiq, thotë për Radion Evropa e Lirë që qëllimi i këtij koalicioni është që popullit serb të Kosovës t’i kthehet dinjiteti dhe e drejta për të vendosur vet. Megjithatë, ai thekson që kushtet në terren janë jonormale dhe se nuk po zgjidhen mjetet për të arritur në pushtet.

Prandaj, siç thotë ai, kushtet për zgjedhje të ndershme dhe korrekte nuk kanë bazë. Sipas tij, të gjitha mekanizmat shtetërorë të Serbisë janë përdorur për të ndikuar në trupin zgjedhor serb në Kosovë. Siç thotë ai, e gjithë kjo nuk është diçka e re që kur Lista Serbe ka dalë në skenë, por që, sipas tij, “ajo tashmë ka bërë një hap tutje”.

“Disa njerëz janë larguar nga puna. Një nga bashkëpunëtorët e mi, të premten është suspenduar. Ata që kanë qenë anëtarë të këshillave zgjedhorë janë ftuar nga ana e menaxherit, gjegjësisht punëdhënësit, drejtorit ose kryetarit, që të tërhiqen nga ata trupa ose aktivitete parazgjedhore. Për më shumë, në ato nivele, ka ‘rekomandime’ për punëtorët se nuk do të duhej të takoheshin me mua ose me bashkëpunëtorët e mi dhe që në asnjë mënyrë të mos e nxisin tërbimin e tyre ose të institucioneve. Këtë që po ndodhë tani, me siguri se do të mbetet e shënuar në literaturën për fakultete, lidhur me diktaturën dhe si duhet zbatuar diktatura. Këtë e kemi këtu në terren dhe me siguri që nuk do të bëhet asgjë më mirë, por vetëm më keq”, tha Rashiq.

Ai shtoi se kjo situatë do t’i detyrojë të gjithë oponentët që të merren, siç e quan ai, “ilegalisht” me politikën, që të punojnë në errësirë dhe të punojnë si një lëvizje e rezistencës në një vend të okupuar. Rashiq tha se u është drejtuar të gjitha institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe policinë, për shkak se në disa raste kanë arsye të besojnë se e kanë të rrezikuara edhe jetët e tyre.

Por, sipas tij, institucionet po e pranojnë me nge këtë situatë, sepse nuk e kuptojnë thellësinë dhe egërsinë e organeve që janë të gatshme të bëjnë gjithçka për dobi politike.

Akleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është i kënaqur me kushtet për fushatë, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka vendosur për të gjitha partitë. Por, sipas tij, situata në terren është duke diktuar kushte mjaft të vështira për të nisur edhe zyrtarisht fushatën zgjedhore. Shantazhet dhe kërcënimet me humbje të vendeve të punës ndaj qytetarëve, siç thotë ai, tashmë janë bërë përditshmëri.

“Këto kërcënime shkojnë aq larg, sa që një zonjë, e cila është kandidate në listën e Partisë së Serbëve të Kosovës dhe është punëtore në Komunën e Leposaviqit, i është dhënë për detyrë që t’ua sjellë listën prej 15 votave të sigurta për Listën Serbe. A mund ta paramendoni që një kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të kërcënohet dhe t’i bëhet shantazh me humbjen e vendit të punës, sepse i duhet që për një parti tjetër të sjellë 15 vota të sigurta. Natyrisht që ato vota nuk do t’ua sigurojë dhe natyrisht që këtë kërcënim do ta denoncojë në polici”, tha Jabllanoviq.

Ai ka shtuar se raste të ngjashme shantazhi dhe të kërcënimeve ka mjaft shpesh ndaj qytetarëve që nuk mendojnë si Lista Serbe, e cila siç thotë ai, nëpër institucione të caktuara i fton punëtorët në grupe të mëdha ose të vogla, duke u thënë që nëse nuk votojnë për këtë subjekt politik, ata dhe fëmijët e tyre nuk do të kenë të ardhme në këtë hapësirë.

Nga Lista Serbe thonë se kundërshtarët e tyre politikë po trillojnë. Nënkryetari i këtij subjekti politik, Dalibor Jevtiq, thotë që trillimet pa argumente janë raste kur “dikush sanksionohet për ndonjë shkak të panjohur dhe më pas i ndërlidhin me Listën Serbe”. Për më shumë, ai akuzon Slobodan Petroviqin, liderin e Partisë së Pavarur Liberale, për kërcënime.

“Petroviq, i cili është ushtrues detyre në Postën e Kosovës për integrimin e pakicave, ka thirrur takim, në të cilin ka kërcënuar dhe për këtë janë njoftuar organet kompetente. Punëtorët serbë të Postës së Kosovës, më pas, janë ftuar në procedurë disiplinore. Këto fakte ne ia kemi dorëzuar edhe misionit mbikëqyrës të BE-së. Është tjetër gjë të thuash dhe tjetër të kesh dëshmi. Pra, kemi një zotëri që është drejtor që e ka partinë e tij, është drejtor i Postës dhe i cili i thërret punëtorët e tij dhe i kërcënon. Ky është kërcënim i drejtpërdrejtë dhe shantazh”, tha Jevtiq.

Por, Slobodan Petroviq, lider i Partisë së Pavarur Liberale, thotë se e gjithë kjo është gënjeshtër. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ai mohon të jetë punëtor i Postës së Kosovës, por që punon për një kompani tjetër, Vala dhe se diçka e tillë nuk ka ndodhur.

“Ata, deri më tash, kanë thënë gënjeshtra të shumta. Unë fare nuk punoj në Postë, kjo është kompani tjetër. Kjo nuk ka fare të bëj me mua, por kjo nuk është hera e parë dhe ju mediat jeni bindur disa herë se ata gënjejnë”, tha Petroviq.

Ai ka shtuar se partia e tij tash e disa javë është duke apeluar që të mos përsëritet situata e zgjedhjeve të vitit 2017, kur sipas tij, kanë humbur punën apo të ardhurat sociale qindra persona.

Siç ka theksuar ai, përmes një konference për media kanë zbardhur shembujt kur njerëzit kanë humbur vendin e tyre të punës për shkak se ata ose dikush prej familjes së tyre janë në listën e subjektit politik të tij dhe se rastin ia kanë dorëzuar prokurorisë nga e cila pret që ta bëjë punën e saj. E gjithë kjo situatë, sipas tij, ka të bëjë me frikën e Listës Serbe, e cila siç tha ai, çdo ditë e më shumë po e humbë mbështetjen e bashkësisë serbe në Kosovë.

Nga misioni monitorues i BE-së, i cili ka arritur në Kosovë, kanë deklaruar se këto zgjedhje “janë rast i shkëlqyeshëm që aktorët në Kosovë të tregojnë angazhimin për demokracinë, duke zbatuar një proces të besueshëm gjithëpërfshirës”. Gjithashtu, ky mision ka shtuar që pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2017, pati dorëzuar 26 rekomandime, shumica e të cilave nuk janë pranuar. Në atë kohë, ky mision pati theksuar se në zonat ku jeton popullata serbe, janë shënuar raste të pengimit, të frikësimit dhe dhunës të drejtuara ndaj votuesve, por edhe ndaj kandidatëve.