Partia Liberale Egjiptiane ka kërkuar anulimin e votave në të gjitha vendvotimet që nuk banojnë pjesëtarë të komunitetit rom, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, kjo parti është ankuar për parregullsitë që kanë ndodhur në komunat me shumicë serbe ku qytetarët ia dhanë votën pjesëtarëve të komuniteteve që nuk ju takojnë.
“PLE si parti serioze parlamentare, e cila tash e tetë vite përfaqëson komunitetin egjiptian, kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë anulimin e votave në të gjitha vendbanimet serbe, në të cilat nuk jeton komuniteti rom. Gjithashtu PLE ju bënë thirrje qytetarëve të komunitetit egjiptian në Kosovë dhe jashtë saj që të jenë të qetë dhe të matur dhe të mos bien në provokime të individëve apo grupeve të caktuara”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kësaj partie.
Tutje në kumtesë, u bëhet thirrje të gjitha mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë që në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre të reagojnë urgjentisht në mënyrë që, sipas PLE-së, të vendoset drejtë manifestimi i vullnetit të lirë të votuesve, si dhe të evitohet dëmtimi i mundshëm i vetë procesit zgjedhor në përgjithësi.
Heshtja e institucioneve karshi shqetësimeve të komuniteteve joshumicë jo-serbe në Kosovë, sipas këtij subjekti politik, mund të dëmtojë seriozisht tërë procesin zgjedhor.
Kjo është komunikata e plotë e PLE:
Pas shqetësimeve të ngritura nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE) përmes Komunikatës Publike të datës 19 shkurt 2021 mbi dyshimet lidhur me orkestrimin e votave nga subjekti politik “Lista Serbe” në bashkëveprim me subjektin politik “Romani Iniciativa” si dhe duke u bazuar në reagimet e shumta të pranuara nga komunitetit Egjiptian, konstatojmë si të padrejtë heshtjen e institucioneve kompetente shtetërore, përfaqësuesve të subjekteve të mëdha politike, organizatave ndërkombëtare, ambasadave të huaja dhe të një pjese të shoqërisë civile.
Mosmarrja parasysh e shqetësimeve tona mbi ndikimin e dhunshëm në vullnetin e votuesve në rastin konkret të Subjektit Politik “Romani Iniciyativa” nën dirigjimin e “Listës Serbe” rezulton negativisht dhe drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen demokratike të zgjedhjeve si dhe mund të dëmtojë seriozisht tërë procesin zgjedhor në Kosovë. Kosova ka qenë shembull i organizimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve në të gjitha nivelet në Kosovë dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme në arritjen e objektivave për integrime evropiane, ndikimet e tilla të drejtpërdrejta në vullnetin e votuesve nga subjekti politik “Romani Iniciyativa” përmes “Listës Serbe” është shembulli më i keq dhe pengesë në arritjen e këtyre objektivave.
Prandaj, PLE bënë thirrje të gjitha mekanizmave vendore dhe ndërkombëtare që në kuadër të fushë veprimtarisë së tyre të reagojnë urgjentisht në mënyrë që të vendoset drejtë manifestimi i vullnetit të lirë të votuesve si dhe të evitohet dëmtimi i mundshëm i vet procesit zgjedhor në përgjithësi.
PLE si parti serioze parlamentare, e cila tash e tetë vite përfaqëson komunitetin Egjiptian, kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë anulimin e votave në të gjitha vendbanimet serbe, në të cilat nuk jeton komuniteti rom. Gjithashtu PLE ju bënë thirrje qytetarëve të komunitetit Egjiptian në Kosovë dhe jashtë saj që të jenë të qetë dhe të matur dhe mos të bien në provokime të individëve apo grupeve të caktuara.
Me respekt,
Veton Berisha
Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane./Gazeta Sinjali/