image Organizatat e anëtarëve të partisë së Veton Berishës përfitojnë fonde nga Zyra e Kryeministrit

Financa

Organizatat e anëtarëve të partisë së Veton Berishës përfitojnë fonde nga Zyra e Kryeministrit

news image

Nga një fond i ndarë nga Zyra e Kryeministrit Hoti, për financimin e organizatave joqeveritare që kanë për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, kanë përfituar edhe dy organizata të afërta me deputetin Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE), shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka mësuar se në mesin e 49 organizatave joqeveritare, përfituese nga ky fond, janë edhe: “Instituti për Hulumtime Socio-Juridike të Komunitetit Egjiptian” dhe “Nilasit e Ballkanit”.

Dokumenti: Në mesin e OJQ-ve përfituese janë edhe, Instituti për Hulumtime Socio-Juridike të komunitetit Egjiptian dhe Nilasit e Ballkanit.

Instituti për Hulumtime Socio-Juridike të Komunitetit Egjiptian, është organizatë e themeluar nga Urim Sahiti. Bashkëthemelues dhe anëtarë të kësaj OJQ-je, janë edhe Zenun Xhaferi dhe Emine Murtezi.

Dokumenti: Themelues të Institutit për Hulumtime Socio-Juridike të Komunitetit Egjiptian, Urim Sahiti, Zenun Xhaferi dhe Emine Murtezi

Gazeta Sinjali ka mësuar se të tre anëtarët e kësaj organizate janë edhe anëtarë të partisë që udhëhiqet nga deputeti, Veton Berisha.

Urim Sahiti ka qenë i deleguar nga PLE, si ekspert për dialog gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj.

Dokumenti: Urim Sahiti i deleguar nga PLE, si ekspert për dialog gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj

Ndërkohë, dy anëtarët e tjerë, Zenun Xhaferi ka qenë kandidat për deputet nga PLE në zgjedhjet e 2017-ës.

FOTO: Zenun Xhaferi, kandidat për deputet nga PLE në zgjedhjet e 2017 me numër 43

Ndërsa, Emine Murtezi ka kandiduar për deputete nga radhët e PLE në zgjedhjet e vitit 2019.

FOTO: Emine Murtezi, kandidate për deputete nga PLE në zgjedhjet e 2019 me numër 9

Përfituese tjetër e këtij fondi është edhe organizata “Nilasit e Ballkanit”.

Gazeta Sinjali ka mësuar se përfaqësues ligjor i kësaj OJQ-je është Fidan Muslijaj, anëtar i PLE-së dhe kandidat për deputet nga kjo parti në zgjedhjet parlametare të vitit 2017.

Dokumenti: Themelues të OJQ-së “Nilasit e Ballkanit”, Fidan Muslijaj dhe Edmon Shkodrani

Bashkëthemelues dhe anëtar është edhe Edmond Shkodrani, kryetar i degës së PLE-së në Pejë.

Konkursi për financimin e OJQ-ve që kanë për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, është hapur nga Zyra e Kryeministrit më datë: 31.8.2020.

Në listën preliminare të nënshkruar më 09.9.2020, nga pesë anëtarë të komisionit, Instituti për Hulumtime Socio-Juridike të Komunitetit Egjiptian dhe Nilasit e Ballkanit, figurojnë si përfituese e fondit të ndarë nga Zyra e Kryeministrit, mirëpo askund nuk tregohet se cila është shuma që kanë përfituar këto organizata.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit për t’i pyetur rreth shumës që kanë përfituar këto organizata joqeveritare, mirëpo, me gjithë insistimin e gazetës, përgjigjet nuk janë pranuar as pas më shumë se dy javësh.

Ndërkohë, deputeti Veton Berisha, i kontaktuar nga Gazeta Sinjali, ka mohuar se ai ka pasur ndikim në përzgjedhjen e përfituesve, duke thënë se kjo është çështje e Zyrës së Kryeministrit.

Jo. Merreni përgjigjen prej Zyrës së Kryeministrit. Unë jam deputet, dhe krejt çka ju duhet për Kuvend…Konkursi ka qenë i hapur, mirëpo procesi i takon zyrës së kryeministrit. Këto janë pretendime politike që i bën opozita, është roli i opozitës me kritiku, por nuk është proces që më takon mua”, ka thënë Berisha.

Ndryshe, në rregulloren e publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve, thuhet se përzgjedhja e përfituesve bëhet duke ju shmangur ndonjë konflikti të interesit.

“…të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht
përfaqësuesve/udhëheqësit të aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet me legjislacionin nëfuqi në Republikën e Kosovës
“, thuhet në rregulloren mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve./Gazeta Sinjali/