image Partia Demokratike e Serbisë akuzon Listën Serbe dhe Beogradin për rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit

Politikë

Partia Demokratike e Serbisë akuzon Listën Serbe dhe Beogradin për rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit

news image

Partia Demokratike e Serbisë ka dënuar sulmin ndaj djalit të politikanit serb Nenad Rashiq, të hënën në Graçanicë.

Kjo parti opozitare në Serbi, që udhëhiqet nga Zoran Lutovac, ka thënë se nuk dëshiron të predikojë për rezultatin e hetimeve, por ka ftuar Listën Serbe dhe siç është thënë, shefat e saj në Beograd që të peshojnë fjalët para se të fyejnë dhe ta quajnë dikë tradhtar.

Rrahja e 18-vjeçarit ndodhi pas një serie akuzash ndaj të atit të tij nga Lista Serbe, që e quajti “tradhtar dhe bashkëpunëtor të shqiptarëve”.

“Demokratët ua tërheqin vërejtjen akterëve politikë, si Listës Serbe ashtu edhe shefave të tyre në Beograd, që të jenë të kujdesshëm dhe të peshojnë fjalët e thëna në publik si dhe të marrin përgjegjësinë atëherë kur shënjojnë dhe i quajnë tradhtarë ata që mendojnë ndryshe. Është e tepërt të thuhet se Lista Serbe është pjesë e pushtetit në Kosovë viteve të fundit”, thuhet në komunikatën e partisë që kishte udhëhequr rrëzimin e kriminelit Slobodan Milosheviq nga pushteti.

Sipas komunikatës, e njëjta gjuhë fyese ishte përdorur edhe para se të vritej politikani serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq.

“Kujtojmë se Oliver Ivanoviq e pagoi me jetë, e publiku ende nuk ka përgjigje në pyetjen pse dhe kush e vrau. Nuk ka përgjigje, por nuk harrohet se çfarë sulmesh mediale u ishte nënshtruar (Ivanoviq v.j.) në kohën para se të vritej”, ka shkruar Partia Demokratike e Serbisë.

Për rrahjen e djalit të Rashiqit, Policia ka arrestuar tetë persona. Rashiqi ka thënë se rrahja e të birit ishte e menduar dhe me skenar. /Gazeta Sinjali/