Mjediset e parkut të gjelbër në Mitrovicë janë shndërruar në vendparkingje për shoferë të papërgjegjshëm.
Vetura zyrtare, po jo vetëm, janë kapur në flagrancë në kundërvajtje nga telefoni i një sinjalizuesi i cili e ka raportuar rastin në gazetën Sinjali. Sipas tij, autoritetet nuk po veprojnë për ndalimin e kësaj shëmtie.
Ironia më e madhe e tërë kësaj gjendjeje është se menjëherë pas këtij parku, ndodhen hapësirat e parkingut të rezervuara edhe për veturat zyrtare.
Siç duket, shoferi i veturës zyrtare, duke parë neglizhencën e autoriteteve komunale të zbatimit të ligjit, as nuk e ka marr mundin të kërkoj një vend për parkim në atë hapësirë.
Në fotografitë tjera, shihen veturat e mërgimtarëve, të parkuara në po të njëjtin park, vend jo i dedikuar për to, veprim ky i cili nuk do të falej në shtetet perëndimore ku gjenden me vendqëndrim.
Mungesa e zbatimit të ligjit i ka “trimëruar” ata që të abuzojnë me hapësirat e pakta të gjelbëruara, në vendlindje.
Sinjalizuesi i gazetës e ka monitoruar këtë gjendje gjatë tërë ditës së djeshme deri në orët e mbrëmjes, ndërsa situata nuk ka ndryshuar.
Në objektin që shihet në foto është pishina gjysmë-olimpike “Omnisport” dhe sallat sportive të qytetit, të cilat poashtu posedojnë rojtar, i cili do të duhej që në kuadër të detyrës zyrtare, të parandalonte parkimin e veturave në këto hapësira të dedikuara për çlodhje dhe shëtitje të banorëve për rreth objekteve të banimit dhe qytetarëve të tjerë. /Sinjali/