Gazeta Sinjali sot raportoi ekskluzivisht për aksionin e Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë Themelore në Pejë në komunat Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, me qëllim të arrestimit të zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, lidhur me ndërtimet pa leje.
Në një konferencë për media Lumturie Vuçetaj, prokurore Departamentit për Krime të Rënda në Pejë.
Përveç ndalimit të 10 zyrtarëve, ajo ka thënë se janë në fazën e grumbullimit të provave nën dyshimin se kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë keqpërdorur detyrën.
Sipas saj ka bazë dhe material që aksioni të vazhdojë.
“Jemi në fazën e parë të grumbullimit të provave. Janë katër drejtorë të Drejtorive të Urbanizmit dhe të tjerët janë zyrtarë. Ne jemi në drejtim të zbardhjes së këtyre çështjeve”, ka thënë ajo.
Sinjali ka mësuar emrat e shtatë prej 10 zyrtarëve, të cilët kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës:
Rajan Arapi – drejtori i Urbanizmit në Pejë,
Florije Berisha – zyrtare ligjore në Drejtorinë e Urbanizmit në Pejë,
Lorenc Marleku – drejtori i Urbanizmit në Klinë,
Ali Gashi – zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Klinë,
Ramë Melaj – drejtori i Urbanizmit në Deçan,
Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog,
Rexhep Blakaj – shefi i divizionit në Drejtorinë e Urbanizmit në Istog,
Ndërkaq, Sinjali mëson se policia ka rrethuar me shirita edhe zyrën e zyrtarit për projekte në këtë drejtori, Rrustem Gashit, i cili nuk është gjetur aty.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë së Shtetit kanë bërë të ditur se gjatë këtij aksioni përveç në hapësirat zyrtare, drejtoritë respektive, ka pasur bastisje dhe në disa shtëpi e banesa private të personave të dyshuar, të cilët janë arrestuar ose pritet të arrestohen gjatë ditës.
Prokurori tashmë ka vënë në dispozicion të policisë një listë të gjerë të provave dhe pajisjeve elektronike, që do të jenë subjekt i sekuestrimit me rastin e bastisjeve, prova këto që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme hetimore kundër të dyshuarve.
Fokusi i hetimit të realizuar nga Prokurori i Shtetit ka pasur të bëjë me çështje që lidhen me Drejtorinë e Urbanizimit dhe të Inspektimit, me theks të veçantë papërshtatshmërinë ligjore të disa lejeve të ndërtimit, si dhe dështimin e inspektorëve për të penguar ndërtimet në shkelje të ligjit.
Mirëpo, ky nuk ishte fokusi i vetëm i këtij hetimi, për shkak se tashmë janë dhënë instruksione nga Prokurori i Shtetit edhe për vepra tjera penale dhe persona jashtë institucionit të komunës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.